Partia Demokratike mban sot protestën e tretë kombëtare, në bulevardin para Kryeministrisë. Sikurse edhe në protestat e kaluara, deputetë dhe figura të njohura të PD-së do të mbajnë fjalën, ndërsa protesta pritet të mbyllet me fjalimin e kryedemokratit Sali Berisha.
“Kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot. Miliarda euro. Jemi këtu për t’u zotuar se ne do rikthejmë mediat e lira në Shqipëri, zgjedhjet e lira dhe se Shqipëria do të jetë një vend normal, vendi i njerëzve të lirë. Nëse Enver Hoxha përdori kundër shqiptarëve policinë politike, Edi Rama përdor organizatat kriminale. Jemi këtu për t’u zotuar për zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë, do ta shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë, do ndëshkojë 2 herë më shumë qeveritarët që largohen. Sot përsëri, sytë e europës, e shqiptarëve janë të drejtuara tek ne dhe vetëm tek ne. Nëse 35 vite më parë, me të drejtë pyesnin a janë apo s’janë opozitë këta, sot, pas betejave tona, nuk pyet kush më jemi apo s’jemi, jemi uragani, forca, opozitë e vërtetë, do shpëtojmë Shqipërinë”, tha Berisha.
Edhe pse policia nuk e aprovuar zhvillimin e kësaj proteste për shkak të akteve të dhunës në 2 protestat e kaluara, sërish janë marrë masat për mbarëvajtjen e saj.
Të dhënat nga dikasteri blu saktësojnë se në terren janë më shumë se 1300 efektivë, ndërsa të gjithë do të jenë të pajisur me mjetet e duhura, si kundragas apo mjete për shuarjen e zjarreve.
Sipas planit, këtë të premte forcat policore do të përqendrohen përpara godinës së kryeministrisë, aty ku po zhvillohet protesta.
Në godinë e Kryeministrisë janë vendosur kordonët metalikë, përforcuesit për dyert si dhe gjatë gjithë bulevardit ka kamera me rezolucion të lartë, të cilat do të monitorojnë mbarëvajtjen e protestës.
Tabaku në protestën e PD: Bashkimi i opozitës në një front të gjerë, rruga e vetme për Shqipërinë
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka mbajtur fjalën në protestën e PD-së para kryeministrisë. Ajo kujtoi rrëzimin e monumentit të diktatorit 35 vite më parë “si një moment historik për lirinë e shqiptarëve”.
“Rrëzimi i monumentit të diktatorit 35 vite më parë, ishte çasti kthesës së madhe në historinë tonë. Ky ishte triumf i një të vërtete të madhe të historisë, të gjithë diktatorët bien, rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë. Liria triumfon gjithmonë. 35 vite më pas, ne jemi në shesh, përballë një autokrati të lindur, ku pakica sundon mbi shumicën. Një qeverisje që braktis qytetarët e saj. Sot Shqipëria është një republikë ku të korruptuarit bëjmë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo është ajo që Edi Rama ka ndërtuar, ku bizneset luftojnë për mbijetesë, ku familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, po shtyp shtresën e mesme”, tha Tabaku.
Deputetja bëri thirrje për bashkimin e një fronti të gjerë opozitar.
“Kjo nuk është një betejë partiake, por betejë për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve, për drejtësinë e barabartë. Në këtë përvjetor ne duhet të jemi më të fortë se kurrë. Brenda forcave tona opozitare ka pasur debate edhe që na kanë ndarë, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin me bindje të plotë dhe t’i themi se ato që na ndajnë nuk janë kurrë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveçse bashkimit bashkë në një front të gjerë”, theksoi Tabaku, transmeton rtsh.




