BallinaAtdheuGërvalla takon Schubelin: Në fokus reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi me BE-në

Gërvalla takon Schubelin: Në fokus reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi me BE-në

-

PRISHTINË, 29 shtator 2026 – Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim kortezie me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schubel, ku në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi me BE-në në fushën e sundimit të ligjit dhe proceset prioritare të reformës në drejtësi. Gërvalla bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për disa procese të rëndësishme që synojnë forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishte themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si një prej proceseve të rëndësishme në kuadër të reformave institucionale.

Në agjendën e reformës, sipas ministres, mbetet edhe jetësimi i procesit të Vetingut, si dhe avancimi i pakos së pesë ligjeve të reformës në drejtësi. Po ashtu, institucionet po punojnë për finalizimin e legjislacionit civil dhe për avancimin e reformave që lidhen me Planin e Rritjes.

Qasje e barabartë në drejtësi

Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ishte garantimi i qasjes së barabartë në drejtësi për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ministrja Gërvalla theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e përgjegjshmërisë institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Sipas saj, Strategjia e re Kombëtare pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm dhe planifikimin institucional për një reagim më të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv ndaj këtyre rasteve.

Krimet e luftës dhe drejtësia për viktimat

Në deklarimin e saj pas takimit, Gërvalla u ndal edhe te çështja e krimeve të luftës, duke theksuar se drejtësia për viktimat mbetet një detyrë e institucioneve të Kosovës. Ajo vlerësoi se trajtimi i krimeve të luftës dhe drejtësia për viktimat përbëjnë një përgjegjësi ndaj viktimave, së vërtetës dhe brezave të ardhshëm.

“Reformën në drejtësi do ta vazhdojmë me vendosmëri; me çdo kusht e pa kompromis”, u shpreh Gërvalla.

Ministrja theksoi se sundimi i ligjit përbën një nga themelet e shtetit demokratik dhe se forcimi i institucioneve të drejtësisë është i rëndësishëm për garantimin e barazisë para ligjit. Takimi me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian vjen në kuadër të dialogut institucional për reformat në drejtësi dhe bashkëpunimit të Kosovës me BE-në në fushën e sundimit të ligjit./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Berisha takon përfaqësuesit e lartë të Kosovës në Strasburg

0
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka takuar në Strasburg nënkryetarin e parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Prof. Ardian Gola,...