2.7 C
Zurich
Wednesday, February 18, 2026
spot_img
spot_img

“AI ËSHTË I GJALLË – Prekazi, Brezni Trimash” i autorit kosovar Dibran Fylli

EKSKLUZIVE

Nga Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare

AI ËSHTË I GJALLË – Prekazi, Brezni Trimash” i autorit Dibran Fylli, është një vepër
letrare me rëndësi të vyer historike dhe kulturore. Si ambasadore e kulturës, (e emëruar
nga shoqata të ndryshme ndërkombëtare, mbështetur nga OKB dhe Parlamenti Evropian),
falë nismës së nisur para dy vitesh që të përkthehet e botohet në shumë gjuhë dhe shtete
të huaj, tashmë libri është prezent në shumë revista, gazeta, librari online dhe po vazhdon
të përkthehet, falë gadishmërisë së përkthyesve dhe botuesve, të cilët sapo i kontaktoj,
tregojnë interes të jashtëzakonshëm.


Në Korenë e Jugut ky libër gjendet në të gjitha libraritë fizike, kjo falë bashkëpunimit me
botuesen dhe përkthyesen Dr Yang Geum-Hee dhe koordinimit me Presidentin e Lidhjes
së Shkrimtarëve Botërorë Koreanë (në të cilën kam nderin të jem zv.Presidente), Byeong
Cheol Kang. U shpreh mirënjohjen dhe i falenderoj të gjithë përkthyesit dhe botuesit nga
zemra: Chris Chen (kinezisht), Pamie Sandhu – Parvinder Nagi (punxhabi), Nasir Aijaz
(urdu), Rajeshri Senapati Gogoi (asameze), Hassane Yarti (arabisht), Iris Calif (hebraisht),
Yang Geum-Hee (koreanisht).

- Reklama -

Vepra “Ai është i gjallë – Prekazi brezni trimash”, lartëson figurën legjendare të një prej
simboleve më të fuqishme të rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Kosovës, Adem
Jasharit. Ribotimi i tretë së fundmi, i publikuar muajin e shkuar, (i përkthyer tashmë në 16
gjuhë), dëshmon jo vetëm interesin në rritje në nivel ndërkombëtar për këtë libër, por edhe ndikimin e thellë që narrativa e Dibran Fyllit ka pasur tek lexuesit në mbarë botën. Duke qenë regjisor i shumë filmave, Fylli na udhëheq në një skenar tejet gjallërues, por
njëkohësisht rrëqethës, ku ne vetë gjendemi të mbështjellë nga ai tym i zi, terri, në ditë të
zymta pa agime mëngjesesh, vetëm me perëndime lufte, gjaku dhe gjenocidi nga ana e
uzurpatorëve serbë, kundrejt tokës martire të Kosovës. Për më tepër, (siç e pëmendëm
edhe më lart), libri paraqet figurën legjendare të heroit kombëtar i Kosovës Adem Jashari,
emri i të cilit është bërë nxitje e guximit, sakrificës dhe luftës për liri.


Historia e tij rrëfehet me një prozë të fuqishme dhe përfshirëse, ku ndërthuren elemente
historike, biografike dhe narrative për të sjellë në pah, pasqyrimin e plotë dhe human të
këtij protagonisti madhështor, kyç, siç është Adem Jashari. Vepra dallohet për mënyrën se
si Fylli arrin t’i bëjë të epërta emocionet e familjes dhe të gjithë të afërmve të Jasharit, të
torturuar si populli i tij nga brutaliteti i luftës dhe represioni serb. Më 5 prill 1993, në
shtëpinë e Adem Jasharit u mbajt një takim i rëndësishëm. Përveç pjesëmarrësve të
formacionit të tij të armatosur, në këtë takim morën pjesë edhe disa aktivistë politikë, të
cilët vendosën të zgjerojnë formacionin ushtarak të Adem Jasharit.

Pikërisht në këtë takim, ai propozoi që në veprimet që zhvilloheshin në Kosovë të përdorej
emërtimi “Ushtria e Kosovës”, dhe ishte po në këtë takim që Jashari u emërua Komandant
i Ushtrisë së Kosovës.

- Advertisement -

Sulmet ndaj forcave të policisë serbe tashmë kishin një koordinim, ndaj nga koordimini,
zgjerimi dhe strukturimi i grupeve të armatosura gjatë vitit 1993, u krijua UÇK.

Më 22 janar 1998, në agim, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg
shtëpisë së lagjes së Jasharëve, u afruan forcat e policisë serbe, të cilat u drejtuan kah
kullës, për të sulmuar me armë të llojeve të ndryshme. Duke qenë se atë natë Adem
Jashari nuk ndodhej në shtëpi, sulmit iu përgjigjën Shabani dhe Hamza me nipërit e tyre.

Shtëpia-kullë u sulmua me armë të çdo lloji, por qëndresa e Shabanit, Hamzës dhe
nipërve të tyre ishte aq e madhe dhe këmbëngulëse, saqë forcat serbe u detyruan të
tërhiqeshin. Në përleshje mbetën të plagosura mbesat e Shaban Jasharit, Iliriana dhe
Servete.

Vetëm pak orë pas tërheqjes së forcave serbe, shumë qytetarë u drejtuan për në Prekaz,
ku u pritën nga mençuria e Shaban Jasharit.
Policia serbe e kishte në shënjestër prej kohësh shtëpinë e Jasharëve.

Më 5 mars 1998, në orët e para të mëngjesit, forca të mëdha ushtarake dhe policore serbe
u drejtuan drejt Prekazit. Një formacion snajperistësh, i pozicionuar afër fabrikës së
municioneve, ishte i përforcuar me mjete të rënda artilerie. Sulmi ndaj familjes Jashari filloi rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin të gjithë anëtarët e familjes.

Qëndresa heroike e familjes Jashari zgjati tre ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Në fushën e
betejës ranë heroikisht, duke mbrojtur atdheun, 20 anëtarë të familjes, 10 prej të cilëve
ishin fëmijë, ndërsa më i moshuari në këtë betejë, mbante sërish nofkën që e kishte marrë
vite më parë: “Mjeshtri i Çlirimit të Kosovës”.

Përmes këtyre përshkrimeve të ngjarjeve, figura e familjes Jashari si dhe ajo e tija
personalisht, ngrihet jo vetëm si luftëtar, por edhe si një njeri thellësisht i lidhur me popullin dhe tokën e tij. Rrëfimi vë në pah anën e tij njerëzore, ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e popullit të vet.

Leximi i librit ngjall një ndjenjë të fortë empatie, duke e bërë një figurë universale, të aftë
t’u flasë ndërgjegjeve të kujtdo që përballet me temën e luftës për liri dhe drejtësi.

Një tjetër pikë e fortë e librit është aftësia e për ta përfshirë lexuesin përmes një rrëfimi të
rrjedhshëm dhe të ndërtuar mirë. Skenat e luftimeve, momentet e dhimbjes dhe të shpresës alternohen në mënyrë të balancuar, pa rënë as në heroizëm retorik dhe as në ndjenjë mëshire.

Emri i Adem Jasharit si dhe historia e familjes së tij, do të lënë gjurmë jo vetëm ngado ku
jetojnë shqiptarët, por edhe kudo nëpër botë, sepse do të njihen si familja që me sakrificën e saj sublime hapi dritaret dhe dyert, drejt lirisë së Kosovës. Do të jenë katër, pesë e gjashtë breza të kësaj familjeje, me të cilët do të identifikohet liria e ëndërruar ndër shekuj. Ndërsa plaku i mençur, “Mjeshtri i Çlirimit të Maleve”, Shabani, i shoqëruar nga Hamzai dhe Ademi, nga nipërit dhe gjaku i tyre i flijuar, do t’i japin Prekazit nderin që do të marrë emrin e merituar: “Kosova -Atdheu i Lirisë së Kosovës”.

Me gjithë këtë lavdi dhe patriotizëm me të cilin familja Jashari ia la trashëgiminë historisë
së atdheut të saj, do të jetë personazhi kryesor përmes të cilit do të shkruhet historia e re
kombëtare.

  • Duke u gdhirë 30 dhjetorit 1991, armiku me një makineri të tërë policore rrethoi familjen
    Jashari, duke kërkuar dorëzimin e Adem Jasharit. Së bashku me vëllezërit e tij, thirrjes së armikut për t’u dorëzuar, Jashari iu përgjigj me breshëri të shtënash në drejtime të ndryshme. Pavarësisht se armiku kishte angazhuar shumë forca ushtarake për ta detyruar të dorëzohej, me helikopterë dhe mjete të teknologjisë së lartë, nuk arriti t’i mposhtte luftëtarët.

Pas kësaj përballjeje me forcat e policisë serbe, i gjithë grupi i Adem Jasharit kaloi në
ilegalitet. Ishte e qartë se nga ajo ditë e tutje, çeta e Prekazit drejtuar nga Adem Jashari,
kishte zgjedhur epokën e luftës për çlirim, lavdi dhe liri, në vend që të përfundonte në
burgje të mbushura plot poshtërim. Vetëm trimat, (në periudha të ndryshme), e kanë
ndryshuar rrjedhën e historisë, dhe kështu ndodhi edhe me heroin legjendar Adem
Jashari.

Nga këtu nisi lufta e tyre kundër policisë së armikut, fillimisht në Drenicë, për t’u zgjeruar
më pas në Llap e Dukagjin, në Shalë dhe kudo në Kosovë. UÇK u bë shpresa e popullit
dhe tmerri i armikut. Adem Jashari shfaqej kudo. Ndërsa po shndërrohej në legjendë, ai
gjendej kudo ku mposhtej armiku; ishte në çdo cep të Kosovës. Duke u bërë objekt
agresioni, përndiqej çdo çast nga patrullat dhe stacionet e policisë serbe.

Kjo dëshmon përkushtimin e tij në kërkim të lirisë, si dhe mënyrën se si duhej kërkuar
çlirimi i vendit nga dhuna dhe terrori i pushtuesit serb.

Demonstratat e vitit 1981 dhe ngjarjet e Pranverës së Madhe Studentore sollën një lëvizje
të madhe popullore, duke mbajtur për vite me radhë të ndezur pishtarin e lirisë kombëtare. Këto ngjarje ndikuan fuqishëm në formimin e një brezi që organizoi dhe drejtoi politikisht e ushtarakisht. Adem Jashari, së bashku me çetën e tij, ishin dhe mbeten bërthama kryesore e UÇK-së. Botimi i tretë ka një rishikim të kujdesshëm që e ka bërë prozën edhe më të mprehtë dhe më të saktë, duke i mundësuar tekstit të arrijë një publik akoma edhe më të gjerë.

Teksti i nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e fakteve, por zhytet thellë në shpirtin e konfliktit,
duke treguar tmerrin e masakrës dhe forcën morale të atyre që zgjodhën të mos
dorëzohen. Autori përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë, pa u tejzgjatur, duke përcjellë të gjithë vuajtjen dhe vendosmërinë e Adem Jasharit dhe familjes së tij. Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i librit, është aftësia e Fyllit për ta kontekstualizuar Luftën e Kosovës brenda një kuadri më të gjerë politik dhe shoqëror. Autori shpjegon qartë dinamikat që çuan në konflikt, tensionet etnike dhe represionin e dhunshëm nga forcat serbe. Ky kontekst historik është thelbësor për të kuptuar përmasën e sakrificës dhe familjes së Jasharit, të cilët e paguan me gjak dhe jetë rezistencën e tyre.

  • Pas një qëndrese të gjatë dhe heroike (tri ditë e tri netë), armiku shkatërroi Lagjen e
    Jasharëve, por kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri dhe bashkim kombëtar.
    Deri në pikën e fundit të gjakut, Adem Jashari nuk e lëshoi kurrë armën e lirisë, e duke
    kënduar himnin për atdheun e tij, UÇK humbi prijësin e saj, ndërsa Kosova humbi
    Komandantin e saj Legjendar. Pavarësisht nga kjo, me rënien e Jasharëve, Kosova
    mposhti frikën dhe mori frymë lirisht.

Adem Jashari, heroi legjendar solli një filozofi dhe vetëdije të re te shqiptarët për jetën,
atdheun, lirinë, nderin dhe mbi të gjitha për dinjitetin kombëtar; ndaj AI ËSHTË I GJALLË
dhe i tillë do të mbetet ndër shekuj të shekujve, përjetësisht. Përkthimi i këtij libri narrativ- historik në 16 gjuhë përfaqëson një sukses të rëndësishëm që konfirmon vlerën universale të historisë së Adem Jasharit dhe cilësinë e veprës së Fyllit. Kjo përhapje ndërkombëtare mundëson që jashtë kufijve ballkanikë të njihet një faqe dramatike, por thelbësore, e historisë bashkëkohore evropiane.

Përmes “Ai është i Gjallë – Prekazi, Brezni trimash”, jep një kontribut të rëndësishëm në
ruajtjen e së vërtetës historike dhe në promovimin e paqes dhe bashkëjetesës ndërmjet
popujve. Është një vepër që shkon përtej biografisë së thjeshtë apo kronikës së luftës.

Është një rrëfim i fuqishëm dhe prekës që shpreh respekt dhe mirënjohje për një hero
kombëtar, por mbi të gjitha tregon historinë e një populli që luftoi heroikisht për lirinë e tij.
Cilësia e shkrimit, saktësia historike dhe thellësia emocionale, e bëjnë këtë libër një lexim
të domosdoshëm për këdo që dëshiron të kuptojë rrënjët e një prej konflikteve më të
dhimbshme nga fundi i shekullit XX, në zemër të Ballkanit, pikërisht në atdheun martir të
Kosovës.

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme