1.8 C
Zurich
Wednesday, January 28, 2026
spot_img
spot_img

Gjenerata e tretë e diasporës: midis identitetit, distancës dhe zhgënjimit

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim Hebibi, Cyrih

Gjenerata e parë dhe e dytë e mërgatës shqiptare kanë ruajtur një lidhje të fortë emocionale me vendin e të parëve, edhe pse paradoksalisht gjenerata e parë ka kaluar më shumë vite në mërgim sesa në atdhe. Gjenerata e dytë u formësua duke e parë këtë lidhje si diçka të natyrshme, të trashëguar. Ndërsa sot, gjenerata e tretë ndodhet përballë një realiteti krejtësisht tjetër.

E shkolluar, e integruar dhe me ndjenja kombëtare të pranishme, kjo gjeneratë shpesh ndodhet në dilemë: të shkojë apo të mos shkojë në vendin e prindërve dhe gjyshërve? Nga hulumtimet e bëra në Zvicër, por edhe nga përvoja jonë personale me fëmijët tanë, vërejmë se edhe pse ata flasin shqip, mendësia e tyre është formësuar nga shoqëria ku kanë lindur dhe janë rritur. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative, sepse ata e ndjejnë Zvicrën si atdheun e tyre. Ajo që shqetëson është rreziku i shkëputjes graduale nga vendi i origjinës.

Duhet t’u japim të drejtë kur nuk udhëtojnë aq shpesh sa prindërit apo gjyshërit e tyre. Shumë prej tyre nuk pajtohen me realitetin e përditshëm në Kosovë apo Shqipëri. Një nga pengesat kryesore mbetet vetë udhëtimi. Udhëtimi me veturë gjatë verës apo dimrit shpesh zgjat mbi 30 orë, me kolona të gjata dhe pritje të lodhshme në kufi. Ka raste të dokumentuara ku mërgimtarët kanë pritur deri në 11 orë në temperatura mbi 40 gradë.

Nga ana tjetër, udhëtimi me aeroplan, sidomos gjatë sezonit veror, është i papërballueshëm për shumë familje. Ironikisht, jashtë sezonit, kur biletat kushtojnë 40 franga, askush nuk ankohet, por gjatë verës çmimet shndërrohen në një barrierë reale. Ky është një realitet që nuk mund të injorohet.

Edhe kur gjenerata e tretë shkon në atdhe, përballet me parregullsi serioze: infrastrukturë të dobët rrugore, ndërprerje të rrymës, mungesë uji, pajisje të prishura në shtëpi dhe humbje kohe duke ndjekur mjeshtër për riparime. Këto probleme konkrete ndikojnë drejtpërdrejt në dëshirën e tyre për të qëndruar më gjatë apo për t’u kthyer më shpesh.

Megjithatë, ka edhe shembuj pozitivë që duhen përshëndetur. Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shprehur gatishmëri për të hapur dyert për të rinjtë e diasporës, duke ofruar ligjërata dhe kurse verore me profesorë të njohur. Këto iniciativa krijojnë ura reale lidhjeje mes gjeneratës së re dhe atdheut.

Për fat të keq, në nivel shtetëror mungon një strategji e mirëfilltë afatgjatë për diasporën e re. Masa të përkohshme, si heqja e taksës për hyrje gjatë fushatave zgjedhore, nuk janë zgjidhje. Ajo që nevojitet është një politikë e qëndrueshme, e ndërtuar nga ekspertë, që ta shohë gjeneratën e tretë dhe të katërt si pasuri kombëtare, jo thjesht si vizitorë sezonalë.

Nëse nuk veprojmë sot, rrezikojmë që nesër fëmijët tanë të kthehen në atdhe vetëm për përvjetorë lindjesh e vdekjesh, me një buqetë lulesh në dorë, duke fjetur në hotele, larg shtëpive që prindërit dhe gjyshërit e tyre ndërtuan me mund e djersë.

Në vend që t’i kritikojmë për harresën e gjuhës apo traditës, duhet t’i kuptojmë dhe t’i mbështesim. Ata nuk e harrojnë identitetin me qëllim; realiteti i tyre është thjesht ndryshe. Sporti, veçanërisht futbolli, ka dëshmuar se mund të zgjojë krenari dhe përkatësi, dhe kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar më mirë.

Sot jemi në një udhëkryq. Nëse nuk krijojmë mundësi, do të ndërtojmë barriera. Institucionet, shteti dhe vetë komuniteti në diasporë duhet të veprojnë tani. Alarmi është ndezur.

Pyetja është: a do ta dëgjojmë?

Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme