POSTIMET E FUNDIT

Fuqia e Testamentit Poetik të veprës Naimiane…

Nga Prof. Ymer Çiraku

Përvjetorët e shkrimtarëve të shquar, siç është rasti i 180 vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, janë “stacione” reflektimi e nderimi rreth vlerave, që ata u kanë përcjellë brezave. Mbetet domethënëse, ajo që shkruante për Poetin, shkrimtari dhe studiuesi i njohur E. Koliqi: “Naim, emni i Yt, ka me u përmendun ndër urime e ndër bekime!” Janë të njohura kontributet patriotike e letrare të këtij personaliteti. Krijimtaria poetike naimiane, përfshin zhanre të epikës dhe lirikës. Nga gjerdani i lirikave, mund të kujtojmë p.sh. poezinë “Lulja”, endur me një delikatesë rrëzëllitëse. Në ato tronditje të zjarrmishme apokaliptike, atëhere kur krijohej tërë rruzullimi me: diell, hënë e tokë dhe më pas nisi të formësohej bimësia e jeta – pra, pas atij kaosi të rrëmetshëm, befas, shfaqet sfidueshëm bukuria e një luleje delikate. Ndaj dhe kumbon me padurimin ngazëllyes, ajo pyetja retorike:

“Gjatë kohës, pra, që ndodhën kaq çudi,

Moj lulezë, ku qe fshehur vallë, ti?..”

Në vijim, disa pjesë nga shkrimi kushtuar N. Frashërit, botuar në gazetën EXLibris (16.5.2026), me falenderimin për botuesin e saj, z. Bujar Hudhri.

NAIM FRASHËRI:

“Poeti i gjuhës së zjarrtë…”

Dikur, një shkrimtar i njohur europian pati shkruar se kufijtë e një vendi, d.m.th. integriteti dhe egzistenca/siguria e tij, mund të ruhen me ushtarë – ose me statujat e poetëve. Atëhere, ashtu si për çdo popull e çdo komb tjetër, pa mëdyshje mund të thuhet se poetë shqiptarë të përmasave si Naim Frashëri, janë dhe mbeten shtyllat e sigurta të shqiptarisë. Dhe do t`ia vlente që popujt t`ia mbërrinin asaj dite, që përfundimisht – ata kufij gjeografik e kulturorë, të mund të mbrohen me “armët” më të sigurta e më paqësore, pra, me shpirtin dhe dritën e kulturës e të artit të tyre identitar, përcjellë përmes magjisë së letërsisë.

Këtë vlerësim do ta formulonte edhe gjuhëtari ynë i shquar Eqrem Çabej, kur shkruante qyshse ishte fare i ri për Poetin se ai: “është frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”. E portretizon Naimin si një apostull të idesë nacionale, si një patriot të madh panshqiptar e jo lokalist, si një idealist të kthyer me të drejtë në simbol e gati një mit, një legjendë e nacionit shqiptar.

Asdreni, autori i Himnit të Flamurit kuq e zi shqiptar, po ashtu autor i lirikave të shumta atdhetare dhe filozofike – do t`i drejtohej kujtimit të poetit me mirënjohjen e thellë, si atit të vet shpirtëror: “…t`adhuronj me mall e besë, se bashk` me zërin t`ënd hyjnor jam rritur…”

Dhe ndikimi i Naimit do të ishte vërtet fort i ndjeshëm te poetët dhe shkrimtarët e mëpasëm, të cilët, siç do të shkruante nga të parat shkrimtare femra shqiptare, Musine Kokalari, ata shihnin tek ai Apostullin e Kombit. Ky përcaktim sublimues për të, nuk do të vinte prej ndonjë autoriteti të jashtëm ndikues apo imponues, por veçse natyrshëm – prej pengut për të dëshmuar nderimin e një misionari, i cili, e shkriu jetën e vet për kauzën e Atdheut. Dhe kjo sakrificë e tij, si prej një shenjti, vinte sepse, siç do të shkruante për të Lasgush Poradeci:

Se guxove të na thuash me kalem të zi në kartë,

Mall` e Math që të pat djegur. Fjalët e Gjuhës së Zjarrtë… (poezia “Naim Frashërit”)

L. Poradeci do ta cilësonte Naimin një figurë qendrore të kulturës shqiptare, …që i jep kësaj lëvizjeje historike “…mistikën e udhëheqësit të madh, zemrën e profetit, pa të cilën, s`është e mundur ndjekja e asnjë ideali”…

N. Frashëri është poeti, që përmes artit të tij poetik, e lëvroi mjeshtërisht shqipen. Ai ia arriti të derdhë në krijimet e veta, tërë stolitë e saj të çmuara. Qëmtoi dhe gjallëroi fjalët e “fjetura”, apo të strukura në të folmet e krahinave, e pastroi nga “ferrat” e fjalëve të panevojshme të huaja dhe e pasuroi si rrallë kush tjetër me fjalë të reja, të krijuara prej atij vet, të kulluara dhe të selitura prej thesareve të gjuhës amtare. Këtë do ta vinte në dukje edhe albanologu Norbert Jokli, i cili, e krahason metodën e Naimit për pasurimin e shqipes – me principet e studiuesit gjerman Leibnitz-it (1646-1716) për pasurimin e gjermanishtes, veprën e të cilit me sa duket, poeti e ka njohur nga përkthimi i saj në frengjisht më 1768. Dhe dihet se krahas disa gjuhëve të tjera, Naimi njihte mirë edhe frengjishten. Shumë fjalë si: dritare, fletore, vjershëtor, të pasmit, mëmëdhe, qytetëri, fatbardhësi, padijë, poshtëri etj. zënë vend në krijimtarinë e Naimit dhe shumica e tyre, kanë fituar statusin e përdorimit në gjuhën shqipe. Ato janë sjellë nga “ringjallja” apo riaktivizimi i fjalëve të vjetra të përdorura nëpër dialekte, apo të ndeshura në libra të autorëve të hershëm, në tekste liturgjike etj.

Në ceremoninë jubilare me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së Poetit (1940), organizuar gjatë pelegrinazhit në vendin ku do të preheshin eshtrat e tij, do të theksohej zjarrmia atdhetare që kishte në shpirt ky njeri, si një ndër apostujt më të autoritetshëm të “vllaznimit” të shqiptarëve. Tërë vepra dhe jeta e Naimit dëshmoi fuqishëm lidhjet e thella të gjakut e të gjuhës mbi ndasitë fetare dhe krahinore. (“Bota e re”, nr. 12/1940) Ai do të mbetej vizionar në përcaktimin e padiskutueshëm të shqiptarëve në qarkun e qytetërimit perëndimor dhe do të jenë domethënëse ato vargje, ku e shpalos poetikisht këtë përkatësi natyrale:

Jak` o ditë e uruar

Që lind nga perëndon,

Atë anë e ke ndrituar

E ne, pse na harron?…

Veprës së tij i janë drejtuar studiues të kohëve e disiplinave të ndryshme. Nuk kanë munguar dhe shkrimtarët me vlerësime dhe përkushtime letrare ndaj figurës së tij…

Studiuesi Rexhep Qosja ka realizuar mbase studimin më të plotë deri më sot rreth figurës së N. Frashërit, duke e përcaktuar metaforikisht veprën e tij si një Porosi të Madhe, e cila, vazhdon që të përcillet sot e kësaj dite dhe do të vazhdojë të përcillet ndër breza edhe në të ardhmen. Ky studim është një “skaner” shkencor mbi strukturën letrare të veprës së Poetit. Brenda titullit të veprës së tij të gjerë monografike (“Porosia e madhe”), studiuesi dëshmon epërsinë e një personaliteti letrar, që i kapërxen epokat. Dhe në mbështetje të kësaj teze, kujton atë që theksonte filozofi i njohur i antikitetit Platoni për Homerin, se ky shkrimtar i madh, me veprën e tij e ka edukuar krejt Greqinë. E sipas studiuesit kjo mund të thuhet edhe për N. Frashërin, pasi vepra e tij, ka ndikuar në popullin shqiptar më shumë se një sërë institucionesh kulturore e politike.

Dhe pikërisht ky dimension i pazakontë i këtij personaliteti, e ka kthyer Naimin në një përmendore nderimi për çdo shqiptar. Populli e ka skalitur dhe e ka përjetësuar Poetin me vargje sublimuese: “Naim Frashër Shqipëria…” Kjo konfirmon fuqinë e Testamentit Poetik të veprës naimiane, tashmë i përcjellë ndër breza, duke i dhënë asaj Vepre – vendin fort të merituar në Panteonin Letrar Shqiptar. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB