Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka nderuar viktimat e kampit famëkeq të përqendrimit Aushvic, duke rikujtuar një nga kapitujt më të errët dhe më tragjikë të historisë njerëzore.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Ata përkujtuan më shumë se një milion burra, gra dhe fëmijë – kryesisht hebrenj – që u vranë në Aushvic, si dhe mijëra viktima nga grupe të tjera të përndjekura nga regjimi nazist.
Ambasada theksoi se valixhet e ekspozuara sot në Muzeun e Aushvic-Birkenaut mbeten dëshmi të heshtura të vuajtjes dhe persekutimit, duke rrëfyer historitë e mijëra njerëzve që kaluan portat e kampit pa u kthyer kurrë më.
Përveç viktimave hebreje, u përkujtuan edhe Sinti dhe Roma, të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe shumë të tjerë që u persekutuan dhe u vranë nga terrori nazist. Njëkohësisht, u nderuan edhe ata që arritën t’i mbijetojnë Holokaustit.
Në mesazhin e saj, Ambasada e Gjermanisë theksoi se më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të Holokaustit po zvogëlohet, ndërsa brezat e rinj kanë gjithnjë e më pak lidhje personale me këtë periudhë të errët.
“Ruajtja e kujtesës historike është thelbësore për të garantuar që këto krime të mos përsëriten kurrë më,” thuhet në mesazhin e ambasadës, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit, kujtesës kolektive dhe përgjegjësisë historike për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe paqësore, transmeton rtk.




