Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e klubeve kosovare që po zhvillojnë fazën përgatitore në Turqi, duke theksuar se futbolli vendor po hyn në një etapë të rëndësishme zhvillimi.
Gjatë vizitës së tij në Turqi, Ademi ka takuar përfaqësuesit e FC Drita, SC Gjilani, FC Prishtina dhe KF Llapi, klube që po përgatiten intensivisht për sezonin pranveror. Ai ka bërë të ditur se këto takime nuk kanë qenë vetëm formale, por mjaft të frytshme dhe të veçanta.
“Në secilin klub ndjehej qartë pasioni dhe përkushtimi për futbollin. Me këtë energji dhe angazhim, pranvera premton futboll të fortë, rivalitet të bukur dhe ndeshje që do të mbeten në kujtesën e tifozëve”, ka deklaruar Ademi.
Kreu i FFK-së ka theksuar se skuadrat janë maksimalisht të përqendruara dhe po punojnë me disiplinë, besim dhe profesionalizëm, duke qenë të vetëdijshme për rëndësinë që ka kjo fazë për vazhdimin e sezonit.
“Tek secila skuadër u vërejt dëshira për përmirësim, uniteti i grupit dhe etja për sukses. Trajnerët, stafi dhe lojtarët po japin maksimumin, sepse e dinë që puna e sotme është themeli i rezultateve të nesërme”, ka shtuar ai.
Sipas Ademit, grumbullimet përgatitore nuk shërbejnë vetëm për forcë fizike dhe përgatitje taktike, por edhe për ndërtimin e karakterit dhe shpirtit garues të ekipeve.
“Emocioni, pasioni dhe dashuria për fanellën ndiheshin në çdo hap”, ka përfunduar Ademi, duke shprehur besimin se futbolli i Kosovës po ecën në drejtimin e duhur dhe po përgatitet për sfida gjithnjë e më të mëdha, transmeton rtk.




