Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve të Zvicrës (CPS-S) ka shprehur mbështetjen për zgjatjen e angazhimit të ushtarëve zviceranë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë deri në vitin 2029, si dhe për rritjen e numrit të tyre.
Sipas një njoftimi të shërbimeve parlamentare zvicerane, CPS-S vlerëson se prania e KFOR-it dhe e kontingjentit zviceran Swisscoy në Kosovë mbetet e domosdoshme, pasi situata e sigurisë në terren, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë.
Komisioni, i cili përfaqëson Dhomën e Lartë të Parlamentit të Zvicrës, thekson se prania e KFOR-it është ende e nevojshme për të kontribuar në garantimin e stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.
“Stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është gjithashtu në interes të Zvicrës, ku jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, prej të cilëve mbi 150 mijë janë me origjinë kosovare”, thuhet në njoftimin e shërbimeve parlamentare, raporton CDT.
Në këtë kuadër, CPS-S ka mbështetur rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215. Po ashtu, komisioni propozon që Këshilli Federal të ketë kompetencë që, gjatë mandatit, të rrisë kontingjentin me deri në 30 ushtarë shtesë, pa një afat të përcaktuar, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të ardhshme të misionit KFOR.
Parashikohet gjithashtu mundësia e angazhimit të përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për mirëmbajtje teknike, përfshirë edhe helikopterët zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për forcimin e sigurisë së vetë kontingjentit zviceran në Kosovë./BS




