Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në një panel diskutimi të mbajtur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, kjo ishte pika e parë e agjendës së Kurtit në Davos, ku ai u ftua të kontribuojë në diskutimin mbi rolin e besimit në udhëheqje dhe në ndërtimin e unitetit shoqëror dhe shtetëror.
Gjatë diskutimit, Kurti theksoi se besimi është një shtyllë thelbësore e shërbimit publik dhe e kohezionit shoqëror, veçanërisht në faza të ndryshme të zhvillimit të një shteti. Ai nënvizoi se optimizmi për të ardhmen nuk vjen vetvetiu, por buron nga përpjekjet e vazhdueshme dhe angazhimi aktiv i shoqërive për ndryshim pozitiv.
Paneli u zhvillua në kuadër të iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë reflektim dhe bashkëpunim mes liderëve nga mbarë bota. Kjo iniciativë fokusohet në ndërtimin e partneriteteve inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe në përshpejtimin e bashkëpunimit global në kontekstin aktual shoqëror, transmeton rtk.




