Konferenca e Rektorëve zhvilloi mbledhjen e radhës, me një rend dite që përfshinte: fjalën e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, Prof. Dr. Artan Hoxha përshëndetjen e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama përshëndetjen e Ministres së Arsimit, znj. Mirela Kumbaro Furxhi raportimin e veprimtarisë së Konferencës së Rektorëve për vitin 2025 diskutimin mbi ndryshimet në Ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”. Sipas Kryeministrit, koha për rivizatimin apo rishikimin e Ligjit nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor është brenda vitit 2026, tashmë pas një përvoje 10-vjeçare në zbatim. Tashmë puna për këtë proces ka nisur.
Në vëmendje të veçantë ishte ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, përmes rregullimeve ligjore që do të mundësojnë dhe lehtësojnë programet e përbashkëta, të dyfishta dhe të shumëfishta, si dhe aplikimet për to.
Çështja kryesore e ngritur ishte riorganizimi institucional i IAL-ve, duke riparë hartën e universiteteve shqiptare, me Universitetin e Tiranës si epiqendër, sipas Kryeministrit. Ai theksoi se jo të gjitha IAL-të do të mund ta kalojnë filtrin e akreditimit institucional dhe se është e domosdoshme racionalizimi i burimeve dhe kapaciteteve, në funksion të një sistemi më kompetitiv.
U diskutua gjithashtu për përmirësime infrastrukturore dhe investime, ku u përmend kampusi i UT-së dhe zhvillimi i mëtejshëm i UAMD-së.
Pas largimit të Kryeministrit, në prani të ministres së Arsimit, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, në mënyrë të drejtpërdrejtë, por të mbështetur në argumente, përsëriti kërkesën për ndërtimin e Kampusit të USH-së, duke e cilësuar atë si të vetmin pol të dijes për veriun dhe verilindjen e vendit.
U theksua se kjo kërkesë është bërë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 15 muajve të fundit, si një nevojë urgjente për Shkodrën dhe rajonin e veriut, në funksion të politikave më të balancuara zhvillimore dhe krijimit të mundësive që të rinjtë të qëndrojnë dhe të studiojnë në Shqipëri.
Rektori Gjuraj i kërkoi ministres së Arsimit dhe, përmes saj, qeverisë shqiptare, që të shqyrtojë seriozisht ngritjen e Kampusit të USH-së, ose alternativisht kalimin në pronësi të universitetit të godinave të ish-Spitalit Neuro-Psikiatrik apo ish-Sanatoriumit.
U bë e ditur se në muajin shkurt, Kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Kumbaro Furxhi, së bashku me rektorët e IAL-ve shqiptare, do të mblidhen për të diskutuar riorganizimin institucional të universiteteve dhe profilizimin e tyre rajonal, transmeton helveticALforum.ch
#️⃣ #KonferencaERektorëve#ArsimiILartë#Ligji802015#RiorganizimInstitucional#Ndërkombëtarizimi#USH#UNISHK#ToninGjuraj#Shkodër#KampusiUSH#PolitikaArsimore




