Kantoni St. Gallen po planifikon futjen e një detyrimi për vaksinim në kuadër të ligjit të ri për shëndetësinë, një hap që ka shkaktuar reagime të ashpra politike dhe shoqërore. Sipas projektligjit, qeveria kantonale do të ketë të drejtën të shpallë vaksinime të detyrueshme në rrethana të caktuara, duke u mbështetur në Ligjin Federal për Epidemitë, transmeton 20min.ch. Projektligji parashikon se personat që refuzojnë vaksinimin e detyrueshëm, me dashje ose nga pakujdesia, mund të ndëshkohen me gjobë deri në 20’000 franga zvicerane.
Ende nuk është e qartë se cilat vaksina do të përfshihen konkretisht në këtë dispozitë – mund të bëhet fjalë për vaksina kundër gripit shumë ngjitës, fruthit apo edhe kundër një pandemie të ardhshme.
Ligji aktualisht ndodhet në fazën e konsultimit publik (vernehmlassung). Autoritetet kantonale theksojnë se masa synon mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të rrezikshme.
Edhe Ligji Federal për Epidemitë është në proces rishikimi, me qëllim që të merren parasysh përvojat nga pandemia e Covid-19 dhe të përgatitet më mirë vendi për kriza të ardhshme shëndetësore. Megjithatë, kundërshtimet nuk kanë munguar. Lëvizja “Mass-Voll”, e njohur nga periudha e pandemisë, e cilëson planin si shkelje të të drejtave të njeriut dhe një precedent të rrezikshëm.
Edhe SVP dhe SVP-ja e të Rinjve në St. Gallen e refuzojnë ashpër projektligjin, veçanërisht për shkak të nivelit të lartë të gjobave, të cilat i quajnë një ndërhyrje të paprecedentë në lirinë personale, transmeton 20min.ch. Departamenti i Shëndetësisë i Kantonit St. Gallen nuk ka dashur të komentojë më tej mbi kritikat, duke theksuar vetëm se mosrespektimi i vaksinimit të detyrueshëm mund të rrezikojë shëndetin e përgjithshëm të popullsisë.
Debati pritet të vazhdojë intensivisht në javët në vijim, ndërsa qytetarët, partitë politike dhe organizatat shoqërore do të kenë mundësi të shprehin qëndrimet e tyre përpara se ligji të marrë formën përfundimtare, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




