
Nga Bashkim Aliu
Pjesë nga fjalimi i mbajtur me rastin e shënimit të festës së flamurit nga KMSHZ
Mirë se vini në manifestimin qëndron të organizuar nga KMSHZ me rastin e festave kombëtare të Nëntorit: pra me rastin e 22 Nëntorit festë së alfabetit, dhe 28 Nëntorit, festës së Flamurit.
Është një ndjenjë e veçantë që të moderosh një manifestim madhështor ku ndërthuret fetarja dhe kombëtarja, historia dhe realiteti, arsyeja dhe ndjenjat. Ajo që po ndodh sonte, është mishërim i përcaktimit të qendrave tona islame në Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti, që të jenë në shërbim të ngritjes fetare, kombëtare dhe integruese të komunitetit musliman shqiptar në mërgatë, dhe KMSHZ me këtë manifestim e kurërëzon angazhimin, përkushtimin, punën dhe aktivitetet e dendura të xhamive anëtare për të shënuar ditën e flamurit dhe ditën e alfabetit.
Të nderuar, Xhamitë e themeluara prej mërgatës shqiptare në Zvicër dhe gjithandej në Europë, paraqesin maxhen ku u gatua dhe u poq buka e ndjenjës për liri dhe ngritje intelektuale të popullit tonë, aty u kultivuan ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit nën siglën e ngritjes shpirtërore dhe dimensionit moral të mesazhit hyjnor. Aty ruhet pishtari i atdhedashurisë, aty mësohet feja dhe mësohet brezi i ri i shqiptarëve në mërgatë për të mos harruar identitetin e tyre, atë kombptar, në gjuhën e të cilit mësojnë edhe fenë.
Aty flitet dhe ligjërohet shqip, aty iu mësohet fëmijëve feja në shqip, dhe aty mesohen të recitojnë vjersha në shqip.
Themelimi i xhamive në Perëndim, nga ana e mërgatës shqiptare muslimane, flet për pjekurinë e popullit tonë në mërgatë qe të ndjek rrugë institucionale dhe të ndertojë institucione, pasi xhamia është simbol i institucionit.
Xhamia në përgjithësi ka rol multidimenzional, ndërkaq në Perëndim, në veçanti, identifikojmë tre role të theksuara të xhamisë: fetar, kombëtar dhe integrues.
Nga xhamia, çdo herë është përçuar mesazhi i mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë në shoqëri, njohjes reciproke dhe kontributit e bashkëpunimit me të gjithë, për atë që është produktive, konstruktive dhe pozitive. Ky është edhe mesazhi i vetë Kur’anit. Zoti i Madhërishëm ka thënë: << O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (të këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë>> [El Huxhuratë: 13
Xhamia çdo herë ka patur rol të dëshmuar në civilizim dhe në ndërtimin e kohezionit shoqëror, kultivimin e mirëkuptimit dhe tolerancës në shoqëritë multikulturore dhe në integrimim e komuniteteve në shoqeri.
Zoti e bekoftë mërgatën tonë dhe të gjithë ata që ndajtën nga buka e gojës për t’i themeluar këto fortesa të botës shpirtërore, të kulturës, civilizimit dhe kalitjes së vlerave. Të rinjtë dhe të rejat, si dhe fëmijët e mërgatës shqiptare muslimane, kënaqen kur vijnë në qendrat islame shqiptare, sepse aty e ndjejnë djersën e prindërve të tyre, të cilët investuan dhe investojnë shumë për t’i ndërtuar dhe për t’i mirëmbajtur këto qendra. Ata me vetëdëshirë dhe me pasion i kanë ngritur këto qendra.
Historia e mërgatës shqiptare në Perëndim në përgjithësi, dhe në Zvicër në veçanti, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të shkruhet e ndarë nga institucionet fetare islame të këtij komuniteti në Perëndim, dhe as që mund të skicohet imazhi i saj, pa imzanë e teologëve muslimanë shqiptarë në mërgim, të cilët përmes qendrave islame, patën funksion tredimensional për komunitetin , edhe atë: fetar, kombëtar dhe integrues.
Qendrat islame shqiptare më Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti, përbëjnë një emër me peshë dhe kontribut të dëshmuar në kuadrin kulturor dhe civilizues të institucioneve të mërgatës shqiptare muslimane në Perëndim.
Duke i lexuar raportet e aktiviteteve të qendrave islame të shqiptarëve në Zvicër, e sheh angazhimin dhe punën e madhe që e bëjnë këto qendra në ngritjen dhe zhvillimin e jetës fetare, kulturore, arsimore dhe shoqërore për komunitetin shqiptar musliman dhe për shoqërinë në Zvicër. Unë ndjehem i nderuar që jam pjesë e këtyre qendrave, dhe ndjehem krenar me kolegët hoxhallarë, për sukseset e arritura në fusha të ndryshme dhe etablimin e qendrave islame shqiptare, si një nga qendrat më të suksesshme komunitare në Zvicër. Kjo, ngase ata dëshirojnë të mbjellin përgjithmonë, e jo për një vit, siç është shprehur edhe Sami Frashëri. E për këtë, duhet mbjellur arsim e kulturë.
Këto institucione i themeluan vetë shqiptarët muslimanë, dhe jo dikush nga jashtë, as nga lindja, e as nga perëndimi.
Në qendrat islame të themeluara nga mërgata shqiptare në Zvicër, që shkëlqejnë në shoqërinë zvicerane dhe që vizitohen nga shkollat, qytetarët zviceranë dhe nga institucione të ndryshme të të shtetit dhe të shoqërisë zvicerane, brezat e mërgatës shqiptare muslimane mësojnë t’i lexojnë kaptinat e librit të shenjtë-Kur’anit, dhe himnin kombëtar, i mësojnë parimet e besimit islam në gjuhën shqipe, dhe mësojnë poezi të Naimit, Samiut e të poetëve tjerë shqiptarë.
Aty mësojnë të këndojnë këngë fetare-ilahije, si dhe mësojnë t’i këndojnë Adem Jasharit- “Çohu Adem”, aty e festojnë Mevludin, dhe aty e festojnë 28 Nëntorin, ditën e alfabetit, ditën e mësuesit, ditën e pavarësisë së Kosovës dhe data tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ata kështu mësojnë në qendrat islame shqiptare në Zvicër, pasi kështu kanë qenë rilindasit tanë, kjo është rruga që ata e kanë trasuar, dhe kjo vetëdije e lartë për kombin dhe fenë, si dhe kjo tolerancë ndërfetare, është një vlerë me të cilën shquhet populli ynë, dhe këtë vlerë ne e kemi bartur edhe në mërgatë.
Në qendrat islame shqiptare, u bëhet thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre për mësimin e gjuhës shqipe, krahas mësimeve për fenë në gjuhën shqipe dhe poezive në shqip që i mësojnë në mësimin fetar në këto qendra.
Mërgatë e dashur shqiptare, KMSHZ krenohet për ty, e falënderon Zotin që e bëri të krenohet për të arriturat tua, për tolerancën dhe vizionin e qartë të këtij populli. Ti mërgatë shqiptare na bën krenarë, pasi në qendrat që ngrite, j’ua mësove brezave të rinj dashurinë ndaj fesë dhe kombit, Qabes dhe Vlorës ku u ngrit flamuri kombëtar. KMSHZ si organizatë është krenare që në çdo manifestim, imamët dhe stafet drejtuese të qendrave islame shqiptare në Zvicër, e kanë të ngritur lartë flamurin kombëtar bashkë me atë të shtetit përkatës.




