0.5 C
Zurich
Saturday, January 10, 2026
spot_img
spot_img

Llogaritja e SUVA-s: Trajtimi i të lënduarve nga zjarri në Crans-Montana do të kushtojë miliona

Duhet ti lexosh

Trajtimi i djegieve të rënda është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe shpesh zgjat me vite – në disa raste gjatë gjithë jetës. Zjarri në Crans-Montana pritet të shkaktojë kosto në vlerë milionëshe.

Zjarri shkatërrues i natës së Vitit të Ri në “Le Constellation”, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, do të ketë pasoja të rënda financiare për sigurimet – si për Institutin Zviceran të Sigurimit ndaj Aksidenteve (Suva), ashtu edhe për sigurues privatë dhe institucione të tjera.

Një parashikim i saktë i kostove është ende i vështirë, por Suva ka bërë një vlerësim të parë bazuar në analizën e aksidenteve të rënda me djegie nga vitet 2012 deri në 2024.

“Në përgjithësi, kostot e trajtimit janë shumë të larta gjatë vitit të parë. Vetëm kujdesi akut mund të kushtojë nga 500 mijë deri në një milion franga zvicerane,” shpjegon Nadia Gendre, përgjegjëse e komunikimit në Suva.

Të paktën 130 milionë franga në total

Pas trajtimit akut, zakonisht vijon rehabilitimi spitalor dhe trajtime të tjera mjekësore, një fazë që zgjat katër deri në gjashtë muaj. Kostoja mesatare është rreth 50 mijë franga në muaj.

Më pas, personat me djegie të rënda kanë nevojë për trajtime afatgjata, shpesh gjatë gjithë jetës. “Në varësi të ashpërsisë së lëndimeve, duhet llogaritur me kosto vjetore nga 20 mijë deri në 80 mijë franga,” thotë Gendre.

Çdo rast duhet vlerësuar individualisht, në varësi të moshës, shkallës së djegieve dhe pjesëve të trupit të prekura. Në raste të mëparshme, kostot e trajtimit kanë varjuar nga 650 mijë deri në 1.6 milionë franga për person – dhe trajtimi ende nuk ka përfunduar, ndaj shuma pritet të rritet.

Një përllogaritje e thjeshtuar tregon: nga 116 të plagosur, 83 ndodhen ende në spital. Vetëm për këta 83 pacientë, kostot e trajtimit mund të kalojnë 130 milionë franga, transmeton 20min.ch. Megjithatë, nuk është e sigurt që këto kosto do të mbulohen kryesisht nga Suva. Në varësi të moshës dhe statusit profesional të viktimave – shumica të rinj – disa mund të jenë ende të siguruar përmes sigurimit shëndetësor ose të aksidenteve të prindërve, çka do të thotë se këto sigurime do të mbulojnë shpenzimet.

Pension invaliditeti gjatë gjithë jetës dhe regres i mundshëm

Ka edhe kosto të tjera të rëndësishme. “Disa nga të lënduarit mund të mos jenë më në gjendje të punojnë ose jo në mënyrë normale,” thotë Gendre. Kjo zakonisht çon në dhënien e një pensioni invaliditeti (IV), i cili paguhet gjatë gjithë jetës. Në shumicën e rasteve, me kalimin e kohës shtohet edhe një dëmshpërblim për integritetin fizik. Lind pyetja nëse Suva do të kërkojë regres nga personat përgjegjës për tragjedinë.

“Sapo përgjegjësitë të përcaktohen nga gjykata, Suva do të kërkojë regres për të gjitha këto kosto,” shpjegon Gendre, pa dhënë ende një shumë konkrete, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme