Edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i AShAK-ut, ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe profesor shumëvjeçar i kimisë në Universitetin e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, akademik Daci ishte një figurë e shquar e jetës akademike, shkencore dhe institucionale të Kosovës, me kontribut të rëndësishëm në arsimin e lartë, shkencë dhe jetën publike.
Nexhat Daci lindi më 26 korrik 1944 në Tërnoc të komunës së Bujanocit. Studimet universitare dhe pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit, ndërsa studime të mëtejshme ndoqi edhe në Belgjikë dhe Britani të Madhe. Doktoratën e mbrojti në Universitetin e Zagrebit në vitin 1973, me temë mbi strukturën kimike të thëngjillit të Kosovës.
Karrierën universitare e zhvilloi në Universitetin e Prishtinës, ku u zgjodh profesor ordinar në vitin 1984. Ai mori pjesë në dhjetëra konferenca shkencore ndërkombëtare dhe ishte anëtar i disa institucioneve prestigjioze shkencore, përfshirë Shoqatën Amerikane të Kimistëve dhe Akademinë Europiane të Shkencave dhe Arteve.
Në planin institucional dhe politik, akademik Daci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, si dhe kryetar i Kuvendit në periudhat 2000-2004 dhe 2004-2006. Ai udhëhoqi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në dy mandate, 1999-2004 dhe 2018-2019.
Akademia ka bërë të ditur se për detajet rreth organizimit të ceremonisë mortore do të njoftohet gjatë ditës, transmeton rtk.




