-1 C
Zurich
Wednesday, December 31, 2025
spot_img
spot_img

Nora Gjakova i jep fund karrierës: Një legjendë olimpike mbyll kapitullin e artë të xhudos kosovare

Duhet ti lexosh

Xhudistja olimpike Nora Gjakova ka njoftuar të mërkurën për përfundimin e karrierës së saj sportive, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e sportit të Kosovës. Pas më shumë se dy dekadash në tatami, ajo largohet si njëra prej sportisteve më të mëdha shqiptare të të gjitha kohërave.

Kulmi i karrierës së Gjakovës erdhi në verën e vitit 2021, kur në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” fitoi medaljen e artë, suksesi më i madh në sportin elitar. Kjo arritje e vendosi përfundimisht Norën në panteonin e sportit botëror dhe i dhuroi Kosovës një tjetër moment historik në arenën ndërkombëtare.

Edhe vitet e fundit të karrierës i përmbylli në nivel të lartë konkurrimi. Garën e fundit e zhvilloi në fillim të këtij viti, duke u përshëndetur me medalje bronzi nga Grand Slami i Parisit – turneu më prestigjioz në kalendarin e xhudos botërore – një mbyllje simbolike për një rrugëtim të ndërtuar mbi disiplinë, këmbëngulësi dhe rezultate të vazhdueshme.

Vendimin për t’u tërhequr nga sporti aktiv, Gjakova e bëri publik përmes rrjeteve sociale, me një mesazh emocional falënderimi. “Sot, në ditën e fundit të vitit 2025, po e përmbylli një kapitull të rëndësishëm që për mua ka qenë e gjithë jeta ime deri më tash…”, shkroi ajo, duke theksuar se xhudoja e ka formësuar si sportiste dhe si njeri.

Ajo shprehu mirënjohje për 23 vjetët e kaluar në këtë sport, duke falënderuar familjen për mbështetjen e pandërprerë, trajnerin Driton Kuka për udhëheqjen drejt majave, shokët e klubit “Ippon”, si dhe shtetin e Kosovës për mundësinë dhe nderin e përfaqësimit ndërkombëtar.

Përveç medaljes së artë olimpike, Gjakova ka ndërtuar një karrierë të pasur me suksese: medalje të bronztë në Kampionatin Botëror 2021, shtatë medalje në Kampionatet Evropiane, si dhe dhjetëra medalje në turnet Masters, Grand Slam dhe Grand Prix. Një tjetër moment historik ishte viti 2015, kur në Lojërat e para Evropiane në Baku fitoi medaljen e parë të Kosovës në një ngjarje shumësportëshe.

Pothuajse të gjitha sukseset i arriti në kategorinë deri në 57 kilogramë, ndërsa medaljen e fundit e fitoi në kategorinë deri në 63 kilogramë. Pas përfundimit të karrierës aktive, Nora Gjakova ka nisur një kapitull të ri si trajnere në ekipin e udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka, duke vazhduar të kontribuojë në sportin që i dha lavdi asaj dhe vendit.

Trashëgimia e saj mbetet e jashtëzakonshme – një rrugëtim frymëzues për brezat e rinj të sportistëve në Kosovë, transmeton rtk.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme