Tregu i punës në Zvicër po bëhet gjithnjë e më sfidues për të diplomuarit universitarë. Sipas një raportimi të “Tages-Anzeiger”, papunësia mes akademikëve është rritur ndjeshëm, deri në atë pikë sa sot rreth një në tre persona të papunë ka përfunduar studime universitare. Në shtator të vitit 2023, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Zvicër ishte 2,8 për qind. Megjithatë, pesha e akademikëve brenda kësaj shifre është rritur nga 27 në 34 për qind në më pak se një vit, duke treguar një përkeqësim të dukshëm të mundësive për punësim të të diplomuarve.

Konkurrencë rekord për çdo vend pune
Situata ilustrohet qartë nga një rast i fundit, ku një kompani e madhe zvicerane publikoi një shpallje pune dhe u detyrua ta mbyllë atë vetëm 20 orë më vonë, pasi kishte pranuar rreth 700 aplikime. Ky shembull, sipas ekspertëve, tregon se konkurrenca për pozicionet pas studimeve ka arritur nivele të paprecedenta.
Gerd Winandi-Martin, drejtor i shërbimeve të karrierës në Universitetin e St. Gallen (HSG), thekson se hyrja në tregun e punës është bërë jashtëzakonisht e vështirë, sidomos për ata që sapo kanë përfunduar studimet.
Refuzime të njëpasnjëshme për të rinjtë
Vështirësitë ndihen më shumë nga të rinjtë me pak përvojë pune. Alessia Zehnder (emër i ndryshuar), e diplomuar në Data Science dhe Informatikë në Universitetin e Cyrihut, rrëfen se gjatë studimeve kishte marrë oferta pune që tejkalonin aftësitë e saj në atë kohë. Sot, pavarësisht një diplome master dhe dy vjetësh përvojë profesionale, ajo ka marrë 60 refuzime për 60 aplikime.
Roli i Inteligjencës Artificiale
Përveç pasojave të krizës ekonomike dhe ngadalësimit të tregut pas pandemisë, një faktor i ri po ndikon fuqishëm në tregun e punës: Inteligjenca Artificiale. Sipas Michael Siegenthaler, përgjegjës për analizën e tregut të punës në ETH Zürich, zhvillimi i AI-së ka shtuar mijëra persona në radhët e kërkuesve të punës. Ai shpjegon se teknologjia po zëvendëson kryesisht detyrat bazë, të cilat më parë kryheshin nga punonjësit e nivelit fillestar. Pikërisht këto pozicione kanë shërbyer tradicionalisht si porta hyrëse për të rinjtë në karrierë, transmeton 20min.ch
E ardhme e pasigurt për të diplomuarit
Ekspertët paralajmërojnë se ky trend pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Të rinjtë që sapo dalin nga universitetet janë grupi më i rrezikuar, pasi gjithnjë e më shumë vende pune fillestare po automatizohen ose po zhduken, duke e bërë rrugën drejt punësimit më të vështirë se kurrë më parë, transmeton 20min.ch, njofton helveticALforum.ch




