BallinaEKSKLUZIVEShqipëria në fokus në Bruksel, shqyrtohet Kapitulli 20 i negociatave me BE-në

Shqipëria në fokus në Bruksel, shqyrtohet Kapitulli 20 i negociatave me BE-në

-

Bruksel – Në Bruksel po zhvillohet sot mbledhja e grupit të punës për Zgjerimin dhe vendet që negociojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian (COELA), ku në qendër të diskutimeve është pozicioni negociues i Shqipërisë për Kapitullin 20, “Sipërmarrja dhe Politika Industriale”. Kapitulli 20 është pjesë e Cluster 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, ndërsa dokumentet zyrtare të Këshillit të BE-së tregojnë se pozicioni negociues i Shqipërisë është aktualisht në shqyrtim nga vendet anëtare. Diskutimet e sotme synojnë konsolidimin e qëndrimit të shteteve anëtare lidhur me mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Çfarë përfshin Kapitulli 20?

Kapitulli 20 mbulon politikat evropiane në fushën e sipërmarrjes dhe industrisë. Në fokus janë përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e konkurrueshmërisë, zhvillimi industrial dhe mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Komisioni Evropian, në raportin e fundit për Shqipërinë, vlerëson se vendi ka arritur një nivel përgatitjeje nga i moderuar në të mirë në këtë fushë.

Në raport evidentohet progres, veçanërisht përmes rishikimit të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve.

Propozim kompromisi nga Presidenca e Këshillit

Në kuadër të diskutimeve, Presidenca e Këshillit të BE-së ka paraqitur një propozim kompromisi për draftin e Pozicionit të Përbashkët të Bashkimit Evropian për Kapitullin 20.

Shqyrtimi në COELA përbën një prej hapave të procesit të vendimmarrjes së vendeve anëtare përpara se çështja të kalojë në fazat e tjera të procedurës së negociatave. Në mbledhjen e mëparshme të COELA-s nuk ishte arritur ende dakordësia e nevojshme për mbylljen e përkohshme të këtij kapitulli. Këshilli i BE-së kishte paralajmëruar se çështja do të rikthehej në agjendë më 6 tetor. Nëse arrihet konsensus në COELA, procedura parashikon që çështja të kalojë për shqyrtim në COREPER, përpara se të vijojë me formalizimin e mëtejshëm në një Konferencë Ndërqeveritare BE–Shqipëri.

Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt

Shqipëria ka përfunduar një etapë të rëndësishme të procesit të negociatave, pasi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deri tani, vendi ka mbyllur përkohësisht tre kapituj: Kapitullin 25 – “Shkenca dhe kërkimi”, Kapitullin 26 – “Arsimi dhe kultura” dhe Kapitullin 30 – “Marrëdhëniet e jashtme”. Vendimi për Kapitullin 20 shihet si një tjetër hap në procesin e negociatave, ndërsa diskutimet në Bruksel pritet të përcaktojnë nëse vendet anëtare do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për mbylljen e përkohshme të tij. Procesi i negociatave vijon ndërkohë me shqyrtimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për secilën fushë të negociatave, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve Adriatiko-Joniane takohen në Venecia

0
Venecia – Ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve të hapësirës Adriatiko-Joniane – Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë – u mblodhën sot...