Filantropi i mirënjohur dhe atdhetari shqiptar Sahit Muja, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aktivitet biznesi të shtrirë në disa nga vendet më të njohura të botës, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Në një mesazh përshëndetës, Muja ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe popullin e Kosovës për, siç e cilëson ai, një moment të jashtëzakonshëm historik për demokracinë kosovare.
“Fitorja e zërit të popullit në zgjedhje është triumf i demokracisë dhe testament i forcës, inteligjencës dhe vizionit të një lideri të vërtetë,” – shprehet Muja. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve reflekton qartë besimin, shpresën dhe admirimin e qytetarëve të Kosovës ndaj një qeverisjeje që synon progresin, unitetin dhe një të ardhme më të ndritur, transmeton helveticALforum.ch . Duke vlerësuar lidershipin e kryeministrit Kurti, Muja thekson se ai përfaqëson një udhëheqje të zgjuar, vizionare dhe parimore, që mishëron aspiratat e një kombi të vendosur për të ndërtuar shtetin mbi integritetin, guximin dhe inovacionin.
“Populli ka folur dhe ka zgjedhur rrugën e qeverisjes së frymëzuar, të inovacionit dhe të krenarisë kombëtare,” – vijon ai, duke e cilësuar këtë fitore jo thjesht si sukses elektoral, por si një mesazh të fuqishëm për botën. Në përfundim, Sahit Muja thekson se zgjedhjet në Kosovë janë një dëshmi se demokracia, mençuria dhe vizioni politik mund të formësojnë fatin e një kombi dhe të frymëzojnë brezat që do të vijnë.
“Bravo, Albin Kurti! Bravo, Kosovë!” – përfundon mesazhi i tij, transmeton helveticALforum.ch




