Intervistoi: Anna Hasa
1. Mund të na tregosh pak për veten dhe si lindi pasioni yt për muzikën?
Quhem Enedio Metushi, jam 15 vjeç, jetoj në Montreal dhe jam me origjinë nga Lushnja, Shqipëri.
Pasioni im për muzikën lindi që në fëmijëri. Prindërit e mi dhe halla ime vunë re shumë herët interesin tim për muzikën. Kur isha i vogël, prindërit më vendosnin filma për fëmijë në televizor, por ato nuk më tërhiqnin. Ndërsa, sapo dëgjoja këngë, lija gjithçka që kisha në dorë dhe shkoja menjëherë pranë televizorit për t’i dëgjuar, duke filluar të këndoja, edhe pse fjalët nuk i shqiptoja ende siç duhej. Në moshën 5-vjeçare fillova të merrja mësime pianoje dhe këndimi.
2. Si ndihesh kur performon para publikut?
Para publikut ndihem gjithmonë shumë mirë. Normalisht kam emocione, por sapo marr duartrokitjet e para, gjithçka kalon.
3. Cilat janë disa prej këngëve që të pëlqen t’i interpretosh më shumë?
Janë shumë këngë që më pëlqen t’i interpretoj. Më së shumti më pëlqejnë këngët e Bruno Mars dhe Adele. Ndërsa në gjuhën shqipe, më pëlqen të interpretoj këngët e Alban Skënderaj, i cili është idhulli im mbi të gjitha. Tri herë që ai ka ardhur në Montreal dhe Toronto, kam pasur nderin të hap koncertet e tij dhe për këtë jam shumë mirënjohës ndaj organizatorëve.
4. Ku ke performuar deri tani dhe cilën eksperiencë e konsideron më të veçantë?
Çdo eksperiencë është e veçantë, sepse secila mbart diçka unike për mua. Për herë të parë kam marrë pjesë në Londër, në Albania’s Got Talent, ku u rendita në vendin e tretë mes shumë fëmijëve shqiptarë. Po ashtu, kam marrë pjesë në Shqipëri në Festën e Këngës Shqiptare, nën drejtimin e Gjergj Lekës.
5. Përveç këndimit, a ke pasione të tjera si kërcimi, sporti apo aktivitete të tjera artistike?
Përveç këndimit, i bie edhe pianos dhe më pëlqen gjithashtu kërcimi.
6. Çfarë të motivoi të bashkohesh me grupin e valleve Albos?
Për bashkimin tim me grupin e valleve Albos, falënderoj prindërit e mi, të cilët më kanë mësuar gjuhën shqipe, të lexoj, të shkruaj, të flas dhe të ndjek kulturën tonë të bukur shqiptare. Te grupi Albos jam ndier shumë mirë; secili prej anëtarëve bën një punë të palodhur. Një falënderim i veçantë shkon për koordinatoren Anna Hasa, e cila ka shumë pasion dhe bën që çdo aktivitet të jetë i mrekullueshëm.
7. A ke pasur mbështetje gjatë rrugës tënde artistike?
Mbështetja ime më e madhe ka qenë dhe vazhdon të jetë familja ime, të cilën e falënderoj për gjithçka, veçanërisht për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare.
8. Cilat janë qëllimet e tua për të ardhmen në muzikë?
Qëllimet e mia janë të punoj fort dhe të arrij atje ku dëshiroj. Të bëj krenarë prindërit e mi dhe ta kthej ëndrrën e tyre në realitet. /GD




