Nga Ajet Delaj, New York
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk është thjesht një aleate formale, por një pikë kyçe gjeostrategjike në krahun juglindor të Aleancës. Kosova përfaqëson një interes strategjik afatgjatë për Uashingtonin. Prania e KFOR-it dhe mbështetja amerikane për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë elementë thelbësorë për parandalimin e konfliktit dhe ruajtjen e ekuilibrit të sigurisë në rajon.
Shpallja e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Gadishullit Ilirik, si rajon strategjik që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është lajmi më i mirë që kemi marrë si shqiptarë në 35 vitet e fundit.
Nuk do të ndalem te përfitimet dhe ndikimi që ky akt i Presidentit Trump do të ketë në ekonominë e të gjithë Gadishullit Ilirik, por dëshiroj të fokusohem te mënyra se si politika dhe mediat në Shqipëri e pritën këtë akt madhor. Politika e vetëquajtur “pro-amerikane” sorosiane, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, heshti. Një heshtje e turpshme që i identifikon qartë jo vetëm si antishqiptare, por edhe si globaliste ideologjike, të cilat nuk punojnë për interesat e shqiptarëve.
Dihet se sa e rëndësishme është siguria në këtë botë të trazuar, e cila ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies së Kombit Shqiptar dhe në ndaljen e shpopullimit. Fatkeqësisht, mediat e kapura shqiptare nuk kanë kohë ta trajtojnë këtë temë madhore, pasi janë të zëna duke diskutuar nëse kërkesat e SPAK-ut për pezullim apo arrestim të Ballukut janë të ligjshme apo jo, pa thënë asnjë fjalë të vetme nëse janë vjedhur apo jo paratë publike.
Për të qenë i sinqertë, nuk i kam ndjekur mediat e Kosovës, megjithëse nuk besoj se situata është shumë ndryshe, pasi kanë kaluar pothuajse pesë vite dhe ende nuk është ratifikuar marrëveshja e iniciuar nga Presidenti Trump në fund të mandatit të tij të parë, së bashku me njohjen nga ana e Izraelit.
Futja nën ombrellën e mbrojtjes amerikane do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimet politike. Strategjia amerikane për partnerët politikë në Evropë do të mbështetet te forcat që ndajnë vlera të përbashkëta me konservatorët amerikanë, siç është shpallur nga Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Nuk besoj se ka shqiptarë që mendojnë se politikanët që kanë uzurpuar pushtetin dhe opozitën mund të vazhdojnë të konsiderohen aleatë strategjikë të Administratës së Presidentit Trump. Kjo sepse Presidenti Trump ka shpallur si prioritete strategjike të mbrojtjes amerikane luftën kundër emigracionit të paligjshëm, korrupsionit dhe karteleve të drogës, duke i cilësuar organizatat leftiste dhe rrjetin Soros si struktura kriminale dhe terroriste.
Shqiptarë, zgjohuni! Praktikisht njihemi si një popull pro-amerikan, por nuk mund të përfaqësohemi më nga një qeveri e korruptuar, të cilën e shohim çdo ditë dhe do ta shohim edhe më qartë në muajt e ardhshëm, ku më shumë se gjysma e saj, përfshirë Kryeministrin, janë të lidhur me rrjetin Soros. Ndërkohë, opozita drejtohet nga persona “non grata” në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku shumica e bashkëpunëtorëve të tyre janë larguar nga pushteti në vitin 2013 për të njëjtat arsye për të cilat duhet të largohen edhe sot.
Dihet që siguria kushton shtrenjtë, por falë pozicionit strategjik të Gadishullit Ilirik dhe popullit shqiptar pro-amerikan, Presidenti Trump na përfshiu në strategjinë e mbrojtjes kombëtare amerikane. Për këtë duhet të jemi mirënjohës përjetësisht ndaj Amerikës dhe Presidentit Trump, por mbi të gjitha nuk duhet të punojmë kurrë pas krahëve të Shteteve të Bashkuara. Të paktën këtë e kemi detyrim moral për gjithçka që Amerika ka bërë për Kombin Shqiptar.




