POSTIMET E FUNDIT

Kur sinqeriteti ngushton rrethin, por lartëson njeriun

Nga Dashnim HEBIBI

Jetojmë në një kohë paradoksale. Sa më fallco të jetë njeriu, aq më i madh duket rrethi që e rrethon. Ndërsa sa më i sinqertë, aq më i vogël bëhet ai rreth. Ky është një realitet që shumë e shohin çdo ditë, por pak kanë guximin ta pranojnë. Sot kemi plot fytyra si lëkura e lakrës: shtresë mbi shtresë, maska mbi maskë. Njerëzit shpesh ndryshojnë bindje, fjalë e qëndrime sipas interesit të momentit, duke harruar se karakteri nuk ndërtohet mbi dukjen, por mbi dinjitetin. Megjithatë, kjo nuk duhet të na dorëzojë. Përkundrazi, është koha kur duhet ta ruajmë fytyrën, fjalën e dhënë dhe ndërgjegjen e pastër. Sepse nderi nuk blihet, besimi nuk improvizohet dhe sinqeriteti nuk aktrohet. Vlera e një njeriu nuk matet me numrin e atyre që e duartrokasin, por me pak njerëzit që i qëndrojnë pranë kur duartrokitjet pushojnë. Cilësia e marrëdhënieve gjithmonë do të peshojë më shumë se sasia e tyre. Në një shoqëri ku hipokrizia shpesh shpërblehet më shpejt se ndershmëria, sfida më e madhe është të mbetesh vetvetja. Të ruash fytyrën, dinjitetin dhe moralin është një fitore që nuk zbehet me kohën. Prandaj, le të zgjedhim dashurinë, respektin dhe mirësinë. Dashni e vetëm dashni, sepse vetëm ajo ka fuqinë të thyejë rrethin e hipokrizisë dhe të ndërtojë ura besimi mes njerëzve.

Një javë të mbarë të gjithëve, veçanërisht atyre që, edhe në kohë të vështira, zgjedhin të mbeten njerëz me shpirt të bardhë, zemër të pastër dhe fytyrë të ruajtur.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB