
Dr. Sali Sefa – ish-konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih
Të burgosurit politikë të Kosovës janë dëshmi e gjallë e sakrificës për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Ata përfaqësojnë ndërgjegjen më të pastër të rezistencës sonë historike, njerëz që pranuan burgun, dhunën dhe izolimin për të mos e tradhtuar idealin e lirisë. Pikërisht për këtë arsye, roli i tyre nuk përfundon me daljen nga qelitë; ai vazhdon si përgjegjësi morale ndaj shoqërisë, si kujtesë e gjallë e asaj se liria nuk është dhuratë, por fitore e paguar shtrenjtë.
Sot, më shumë se kurrë, të burgosurit politikë duhet ta ruajnë idealizmin e tyre dhe të mos bien pre e politikave ditore, të mos bien pre e dirigjimeve partiake,të cilat shpesh e relativizojnë sakrificën dhe e zbehin vizionin afatgjatë.
Ata duhet të qendojnë vertikal përmbi orjentimet partiake sepse:ndonjë deklaratë e pamatur e ndonjerit,përgjithësohen të gjithë ish të burgosurit politik!Çka nuk është e drejtë!Angazhimi i tyre duhet të mbetet mbi interesat e ngushta partiake, mbi kalkulimet e momentit që shpesh servohen për plotësim deshirash dhe krijojnë retorika përçarëse.
Idealizmi i tyre është kapital shoqëror: ai i mban gjallë vlerat e drejtësisë, barazisë dhe unitetit, pa të cilat ndërtimi i vendit mbetet i mangët. Ata ishin dhe duhet të mbesin faktori më unifikues në ndërtimin e Kosovës—urë mes brezave, zë i arsyes në kohë polarizimi dhe busull morale drejt aspiratave tona historike!
Duke qëndruar shkëmb ndaj parimeve për të cilat u burgosën, duke i qendruar betimit të dhënë,të burgosurit politikë e forcojnë shpresën se liria ka kuptim vetëm kur shndërrohet në drejtësi, unitet dhe vizion për të ardhmen e vendit!
Enkas për helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




