BallinaSportiRamon Vega sfidon Infantinon, shpall kandidaturën për president të FIFA-s

Ramon Vega sfidon Infantinon, shpall kandidaturën për president të FIFA-s

-

Ish-mbrojtësi i Tottenhamit dhe ish-përfaqësuesi i Zvicrës, Ramon Vega, ka konfirmuar kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, duke u bërë kandidati i parë që publikisht ka deklaruar synimin për të sfiduar Gianni Infantinon.

Ramon Vega ka zyrtarizuar ambicien për të garuar për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm. Ish-futbollisti zviceran, 55-vjeçar, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube si Cagliari, Tottenham, Celtic dhe Watford, synon të përballet me presidentin aktual të FIFA-s, Gianni Infantino. Vega ka thënë se kandidatura e tij bazohet në nevojën për reforma dhe modernizimin e institucionit që drejton futbollin botëror, si dhe në rikthimin e besimit në qeverisjen e FIFA-s.

“Qëllimi im është i qartë: t’i shërbej futbollit dhe njerëzve që i japin jetë lojës”, ka deklaruar Vega.

Ai ka shtuar se synon “të ribashkojë familjen globale të futbollit”, duke kërkuar reforma të qëndrueshme dhe një FIFA më të përshtatur me kërkesat e shekullit XXI.

“Dua të ofroj reforma të vërteta dhe të qëndrueshme, të modernizoj FIFA-n për shekullin e 21-të, të rivendos stabilitetin dhe besueshmërinë, si dhe të rindërtoj besimin që i nevojitet urgjentisht lojës sonë”, ka thënë Vega.

Infantino përballet me kundërshtime

Kandidatura e Vegës vjen në një periudhë kur Gianni Infantino po përballet me kundërshtime të reja në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Muajin e kaluar, Shoqata Zvicerane e Futbollit tërhoqi mbështetjen për një mandat tjetër të Infantinos. Edhe federatat e Anglisë, Uellsit, Francës, Serbisë dhe disa vendeve të tjera evropiane kanë shprehur më herët qëndrime kundërshtuese ndaj një mandati të ri.

Ndërkohë, UEFA ka paralajmëruar se synon të paraqesë një kandidat rival përpara afatit të nëntorit.

Vega kishte shqyrtuar mundësinë për të kandiduar edhe në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në vitet 2015, 2019 dhe 2022, por nuk kishte hyrë në garë.

Këtë herë, ai është kandidati i parë që e ka bërë publikisht të ditur synimin për të sfiduar Infantinon.

“Futbolli është më i madh se çdo individ”

Në deklaratën e tij, Vega ka theksuar se futbolli duhet të jetë mbi interesat e individëve dhe institucioneve.

“Futbolli nuk u përket presidentëve, konfederatave apo administratorëve. Futbolli është më i madh se çdo pozicion, çdo individ apo çdo institucion”, ka deklaruar ish-mbrojtësi zviceran.

Me shpalljen e kandidaturës së Vegës, gara për drejtimin e FIFA-s pritet të marrë një dimension të ri, ndërsa afati i nëntorit do të jetë vendimtar për përcaktimin e kandidatëve që do të hyjnë zyrtarisht në garë./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ronaldo i dërgon mesazh Messit: “Ke gjithë respektin tim”

0
Cristiano Ronaldo ka surprizuar tifozët e futbollit me një koment publik drejtuar Lionel Messit, duke vlerësuar karrierën dhe kontributin e argjentinasit me kombëtaren e...