Në një intervistë për gazetaren Helena Smith të së përditshmes britanike The Observer, Kryeministri Edi Rama ka analizuar situatën gjeopolitike të kontinentit dhe ka shpalosur një propozim për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Duke folur për përparimin e vendit në bisedimet e pranimit, Rama u ndal gjatë tek “errësira” që, sipas tij, po pllakos Evropën. Ai identifikoi ngritjen e së djathtës ekstreme populiste, nacionalizmin patriotik, përçarjet e brendshme dhe nxitjen e përshpejtuar për militarizim si forca të fuqishme që po e përkeqësojnë klimën në kontinent.
Gjatë intervistës, kryeministri shqiptar mbajti një qëndrim pragmatik lidhur me zhvillimet në SHBA. Ai nuk e mbështeti pikëpamjen se Presidenti Donald Trump është “problemi i Evropës” dhe as nuk e konsideroi strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së si veçanërisht befasuese, duke sugjeruar se Evropa duhet të shohë nga vetja për zgjidhjet.
Rama preku gjithashtu debatin e nxehtë të migracionit, duke iu referuar retorikës së përdorur nga një Sekretar i Brendshëm britanik.
Pika kryesore e intervistës ishte gatishmëria e Ramës për të bërë lëshime të mëdha në këmbim të anëtarësimit. Ai deklaroi se Shqipëria është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje paraprake që heq dorë nga fuqia e vetos, një mekanizëm që shpesh ka paralizuar vendimmarrjen në BE.
“Të na fusin në Evropë dhe unë jam gati të nënshkruaj një marrëveshje që deklaron qartë se nuk duam të kemi fuqinë e vetos,” u shpreh Rama për The Observer. “Ne kurrë nuk do ta përdorim votën tonë kundër shumicës.”
Sipas tij, Shqipëria nuk ka nevojë as për komisionerin e saj në Bruksel, duke propozuar një zgjidhje kreative me fqinjin strategjik.
“Ne as nuk duam komisionerin tonë. Mund të bëjmë një marrëveshje me Italinë dhe komisioneri i Italisë mund të jetë komisioneri ynë,” tha ai.
Në mbyllje, Rama shpjegoi arsyen pas kësaj oferte, duke e cilësuar atë si një garanci sigurie për skeptikët e zgjerimit.
Shkrimi i plotë në “The Observer”
Nga zyra e tij në Tiranë, kryeministri shqiptar flet për “errësirën” që ka pllakosur kontinentin, sfidën e populizmit dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të sakrifikuar veton, vetëm për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Në zyrën e tij të mbushur me vepra arti, zhytur në një kolltuk lëkure të errët që mezi e nxë trupin e tij impozant, Edi Rama, kryeministri shqiptar, mediton mbi atë që ai e quan “errësirë” të rënë mbi Evropë.
I rikonfirmuar në detyrë për një mandat të katërt dhe me kombin ballkanik që po fiton duartrokitje për progresin në bisedimet e pranimit në BE, udhëheqësi 61-vjeçar nuk po kalon një vit të keq. Megjithatë, ai shfaqet i shqetësuar. E mundon “mungesa e energjisë pozitive kudo” dhe ndjesia e rëndë se kontinenti, pavarësisht “njerëzve të shkëlqyer” që e drejtojnë, po shket gjithnjë e më thellë drejt një paqartësie gri.
«Nuk shoh dritë», thotë ai prerazi. «Ekziston kjo errësirë në Evropë dhe nuk shoh rrugëdalje prej saj. Ka njerëz që përpiqen të bëjnë gjënë e duhur, por nuk shoh një strategji. Nuk ndihmon të mendosh se problemi është diku tjetër. Është në Evropë. Jemi ne.»
Artisti pragmatik në një rajon të trazuar
Një piktor përpara se të hynte në politikë, Rama ruan ende ajrin e një profesori, ndonëse kundërshtues dhe alternativ – stili i tij i pafre përfshin shpesh kravata të pikturuara me dorë. Me vendosmëri, talent dhe një karizëm të pamohueshëm, ai ka arritur të sjellë reforma të thella në shtetin që dikur ishte i mbyllur hermetikisht nga regjimi komunist.
Në Bruksel, socialisti shqiptar konsiderohet si një nga liderët më pragmatikë të ish-Lindjes. Diplomatët evropianë në Tiranë vlerësojnë aftësinë e tij krijuese “për të menduar jashtë kornizave”, edhe pse hija e korrupsionit endemik vazhdon të mbetet një sfidë për vendin. Ky admirim ndërkombëtar shpjegon pse diagnoza e Ramës për Evropën dëgjohet me vëmendje.
«Vetë Evropa është jashtë ekuilibrit», analizon ai. «Burokracia e saj është bërë më e rëndësishme se politika, dhe grindjet e brendshme duken më të mëdha se horizonti i përbashkët.»
“Kërcimi me djallin”: Kur qendra imiton ekstremet
Debati mbi migracionin ka qenë veçanërisht sfidues për Ramën, një politikan anglofil i detyruar shpesh të denoncojë “stereotipet etnike” ndaj shqiptarëve. Në një intervistë të gjerë për The Observer, ai nuk e fsheh zhgënjimin që akuzat për abuzim me azilin vijnë këtë herë nga një qeveri laburiste, e udhëhequr nga dikush me të cilin ka marrëdhënie “shumë të mira”.
«Nëse veçon një komunitet, mund të presësh që anëtarët e tij të lëndohen, të sulmohen e të rrihen», thotë ai, ndërsa gishtat i lëvizin ritmikisht mbi një varg rruazash komboloi. «E dimë nga historia se kjo është ajo që ndodh.»
Për Ramën, përpjekja e partive tradicionale për të imituar retorikën e së djathtës ekstreme është një gabim fatal. Ai sjell si shembull “vetëvrasjen spektakolare” të Partisë Socialiste në Francë.
«Kur futesh në lojën e konkurrencës me të djathtën ekstreme, humbet», paralajmëron ai. «Instinkti i votuesit është të zgjedhë origjinalin, jo kopjen. Mendon se mund të kërcesh me djallin? Epo, djalli fiton në momentin që shkel në fushë.»
Efekti Trump dhe lufta në Ukrainë
Rritja e populizmit, nacionalizmi dhe militarizimi i përshpejtuar janë forca që, sipas Ramës, po e thellojnë zymtësinë evropiane. Megjithatë, ai refuzon të shohë Donald Trump-in si problemin e Evropës. Përkundrazi, ai e sheh rikthimin e tij si një “thirrje zgjimi”—tronditja e nevojshme për të shkundur Evropën nga inercia burokratike.
«Urtësia e botës është zbehur para syve tanë dhe papritmas po kuptojmë se jemi prapa», thotë ai. «Në këtë kohë sfidash të mëdha, na mungon forca politike; mbetemi në sipërfaqe, kur thellësia është ajo që kërkon momenti.»
Sa i përket Ukrainës, qëndrimi i Shqipërisë është i qartë. Një targë me mbishkrimin “Ukrainë”, e zbukuruar me zemra të kuqe, qëndron dukshëm jashtë zyrës së tij. Tirana zyrtare, dikur një ish-shtet stalinist, nuk ushqen asnjë nostalgji politike për Moskën.
«Çdo njeri që është i interesuar për botën nuk mund të mos i dojë shumë gjëra në lidhje me Rusinë, por jo politikën ruse», saktëson Rama. «Në Shqipëri, sigurisht që nuk na mungon fakti që nuk kemi pasur asnjë biznes me Moskën që nga viti 1960.»
Megjithatë, ai tregohet kritik ndaj mungesës së një plani evropian për paqen. Në këtë boshllëk diplomatik, Putini—”si lojtari brutal i shahut që është”—ka arritur të nxisë psikologjinë e frikës.
Një ofertë radikale për Brukselin
Pushtimi i Ukrainës ka nxjerrë në pah imperativin gjeopolitik të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE. Rama e pranon hapur se rruga drejt anëtarësimit e ka detyruar Shqipërinë “të gëlltisë shumë bretkosa”. Por, për një vend që ka vuajtur 500 vjet nën Perandorinë Osmane dhe pesë dekada nën një diktaturë paranojake, anëtarësimi është ekzistencial.
Ambicia e Ramës është anëtarësimi deri në vitin 2030—një qëllim që skeptikët e quajnë jorealist. Por kryeministri shqiptar është i gatshëm të hedhë në tavolinë një ofertë të paprecedentë për të zbutur frikërat e skeptikëve evropianë: heqjen dorë nga e drejta e vetos.
«Na fusni në Evropë dhe unë jam gati të nënshkruaj një marrëveshje që deklaron qartë se nuk duam të kemi fuqinë e vetos», deklaron ai. «Ne as nuk duam komisionerin tonë. Mund të bëjmë një marrëveshje me Italinë që komisioneri i tyre të na përfaqësojë edhe ne.»
Është një lëvizje taktike, një “masë mbrojtëse”, siç e quan ai, kundër paragjykimeve të vjetra. «Jemi gati ta bëjmë këtë për të shmangur çdo frikë se ndonjë “i çmendur nga Ballkani” do të hyjë në klub me fuqinë e vetos dhe do të fillojë të imponojë gjëra», përfundon Rama, me pragmatizmin e tij karakteristik, transmeton rtsh.




