POSTIMET E FUNDIT

Balla nga Berlini: Synojmë përmbylljen e negociatave në 2027

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Berlin, ku ka theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me Gjermaninë dhe ka rikonfirmuar ambicien e qeverisë shqiptare për avancimin e shpejtë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin gjerman, Balla u prit në një takim nga Kryetari i Komitetit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestag, Anton Hofreiter, si dhe nga anëtarë të tjerë të këtij komiteti. Në fokus të bisedimeve ishte ecuria e reformave në Shqipëri dhe hapat e mëtejshëm për anëtarësimin e plotë.

Përmes një komunikimi publik në rrjetet sociale, kreu i deputetëve socialistë ndau detaje nga këto takime, duke shprehur vlerësimin e lartë për mbështetjen e institucioneve gjermane.

“Mirënjohje Bundestagut dhe Qeverisë Federale për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin europian të Shqipërisë,” theksoi Balla.

Më tej, ai përcolli një mesazh optimizmi lidhur me ritmin e procesit të integrimit, duke hedhur poshtë zërat kritikë: “Ecim përpara drejt përmbylljes së negociatave brenda vitit 2027. Kush tha që janë bllokuar negociatat?”

Agjenda e vizitës së zyrtarit të lartë shqiptar përfshiu gjithashtu ndalesa në Kancelarinë Federale. Balla e cilësoi si një kënaqësi të veçantë rikthimin në këtë institucion dhe zhvillimin e takimeve me anëtarë të kabinetit të ri të Kancelarit Friedrich Merz.

Në mbyllje të reagimit të tij, Balla nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Berlinit zyrtar jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin.

“Partneriteti i shkëlqyer Shqipëri-Gjermani mbetet një faktor kyç për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, avancimin e reformave, stabilitetin rajonal dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE,” përfundoi ai, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB