5.7 C
Zurich
Wednesday, December 17, 2025
spot_img
spot_img

Fjala e Dr. Elmi Berishës për Peter Priftin – Një Homazh Akademik për 100-Vjetorin e një Kolosi të Studimeve Shqipe

Duhet ti lexosh

Të nderuar anëtarë të Akademisë, anëtarë të Shoqatave, të nderuar bashkatdhetarë,

Të dy vëllezërit, Peter dhe Naum Prifti, simbolizojnë një zinxhir të vazhdueshmërisë së dijes, talentit dhe patriotizmit në familje. Përpara se të isha President i Vatrës, kam pasur fatin të njoh krijimtarinë e Naum Priftit dhe më tej të bashkëpunoj me të për çështjen shqiptare si Sekretar i Vatrës për 15 vite, në pjesëmarrje dhe organizime të shumë evenimenteve e veprimtarive, tubimeve e takimeve nga Uashingtoni në Boston, nga Nju Jorku në Kosovë.

Një shpirt rilindës dhe atdhedashës, Peter Prifti ishte Sekretar dhe Editor i Diellit në Boston nga 1958-1960, por mbeti një Vatran i përkushtuar dhe i devotshëm gjatë gjithë jetës së tij. Ai ishte shumë më tepër se studiues, sepse me njohjen e thellë të trashëgimisë shqiptare nga njëra anë dhe thellësinë e diturive të tij të filozofisë perëndimore nga ana tjetër, Peter Prifti e sillte, si askush tjetër, historinë, kulturën dhe gjuhësinë tek audienca të gjera në mbarë botën.

Si ithtar i së vërtetës, shkrimet e artikujt në revistat më prestigjioze amerikane dhe të huaja, dhe recensionet e botimeve për Shqipërinë dhe Kosovën, Peter Prifti i qëmtonte me kritere thellësisht shkencore, duke pasur si busull të vërtetën dhe demaskimin e çdo shtrembërimi të informacionit. Pena e tij asgjesonte me fakte narrativat e pavërteta e qëllimkeqe si edhe shpifjet pseudoshkencore ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në periudha të vështira historike.

Si autor dhe kontributor në shumë lëmi shkencore, influenca e tij, që nga librat dhe botimet e para në MIT, tek publicistika dhe kapitujt për serinë Encyclopedia Britannica është e pashoqe në botën akademike.

Kur vjen fjala tek gjuha e unifikuar shqipe, Peter Prifti është burimi më serioz i argumenteve ku spikasin dy veçori kryesore: njohja e njësimit të gjuhës si tipar i identitetit kombëtar dhe parimet e kohezionit gjuhësor të shqipes.

Dhe ajo që mbetet më në fund, është gjurmëlënia e një personaliteti të farkëtuar me integritetin e shkencëtarit të mirëfilltë dhe atdhedashësit të vërtetë. Një bashkëpunëtor i besuar i Fan Nolit dhe ithtar i idealeve të larta kombëtare, i orientuar kah metodologjia shkencore, Peter Prifti ndërtoi themelet e Studimeve Shqipe në Amerikë dhe më gjerë, dhe si i tillë i dha historisë së shqiptarëve hapësirë të dëgjohej dhe respektohej në mbarë botën.

Faleminderit Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që po e respekton këtë gjigand të studimeve shqipe dhe të Albanologjisë./GD

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme