
Nga Shefqet CAKOLLI – President i SH.K.A “Dardania” në Zvicër
Me të parë lajmerimin dhe njoftimin për shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm nga kjo qendër kulturore, mendova të marr pjesë, edhe pa u ftuar formalisht. Por befasia erdhi nga miku ynë dhe njëherit koordinatori i palodhshëm i këtij ansambli, z. Emin Sahitaj, i cili, duke parë se isha në Kosovë, ma dërgoi ftesën pa i thënë as kontaktuar fare paraprakisht – sikur ta kishte ndier se do të dëshiroja të merrja pjesë!

U ndjeva shumë mirë me këtë ftesë të ardhur përmes mesazhit, edhe pse kisha planifikuar të shkoja me dy miqtë tanë të kulturës, prof. Sami Piraj dhe prof. Dilaver Kryeziu, me të cilët po nisesha më i qetë tashmë si i ftuar zyrtarisht nga vet ansambli.
Ansambli “Bajram Curri”, i cili kishte organizuar këtë jubile në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq, kishte krijuar një ambient me standard të lartë. Edhe pse kishte vite që nuk e kisha vizituar këtë qytezë, më la përshtypje me parqet, rrugët dhe infrastrukturën në përgjithësi.

Sapo hymë në sallën e madhe me stil amfiteatri, pamë se ajo ishte zbukuruar e stolisur me ndriçim, panele të manifestimit dhe dekorime të 60-vjetorit. Programi filloi me një këngë me qifteli, pastaj dolën në skenë të gjithë valltarët, të shoqëruar me një lexim të historikut të ansamblit, ndërsa paralelisht u shfaq edhe një kronikë me foto-kujtime të periudhave të ndryshme. Në mesin e shumë figurave që përmendeshin, më ra në vesh edhe emri i mikut tim të ndjerë Agron Bajrami, si dhe shumë të tjerëve që unë i njihja mirë.
Moderimin po e bënte veterani i ansamblit, këngëtari dhe moderatori i njohur Naim Abazi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe ftoi kryesinë e ansamblit në skenë, përfshirë kryetarin Nuredin Ibishi – Leka, dhe drejtorin Arsim Sfishta, për një fjalë rasti, si dhe udhëheqësin artistik Avdyl Babatinca, dhe koordinatorin Emin Sahitaj.
Natyrisht, orkestra këtë mbrëmje po shkëlqente me dakordimin dhe madhështinë e saj, me interpretimin e këngëve live dhe përcjelljen e këngëtarëve e këngëtareve. Ngjarja po ndiqej edhe nga Televizioni Publik i Kosovës, dhe të pranishëm ishin shumë figura të kulturës sonë kombëtare.
Vallet dhe grupmoshat e ansamblit madhështuan atmosferën para publikut, i cili po e ndiqte me kujdes tërë programin festiv. Nën udhëheqjen e koreografes Suzana Drenica, ishte punuar me profesionalizëm në realizimin e valleve dhe koreografive.

Me përfundimin e programit festiv, kryesia kishte planifikuar edhe një darkë në shenjë respekti për të ftuarit dhe anëtarët, në Villa Natyra, ku u krijua një atmosferë miqësore, me diskutime dhe komente rreth paraqitjes dhe perspektivave të ardhshme të ansamblit.
Kryesia kishte paraparë edhe ndarje mirënjohjesh për kontribuues të periudhave të ndryshme, të cilat i ndau kryetari – edhe pse vetë atë ditë e kishte përvjetorin e lindjes, të cilin anëtarët ia shënuan simbolikisht, pse jo, edhe me muzikë që ishte organizuar për të pranishmit.
Kështu po e përmbyllnim këtë mbrëmje me konkludimin se ky ansambël vërtet meriton përkrahje, në radhë të parë nga komuna, sepse 60 vite veprimtari janë një pasuri e çmuar që duhet ruajtur dhe trashëguar te brezat e rinj, transmeton helveticALforum.ch




