Kryetari Agim Pepaj: “Një takim i vlefshëm dhe i paharrueshëm për kulturën tonë”
Kryetari i Shoqatës “Gjergj Kastrioti” Zvicër, z. Agim Pepaj, njoftoi për helveticALforum.ch se së fundmi ka zhvilluar një takim tepër të rëndësishëm dhe me vlerë të veçantë për jetën kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Ai bëri të ditur se Shoqata “Gjergj Kastrioti” Zvicër pati kënaqësinë dhe nderin të marrë pjesë me ftesë në aktivitetin kulturor “Gjurmëve të Rrënjëve Tona – Edicioni III”, një mbrëmje e dedikuar 400-vjetorit të lindjes së Imzot Pjetër Bogdanit, një prej figurave më të shquara të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Në këtë aktivitet të veçantë, të organizuar nga Misioni Katolik Shqiptar Luzern dhe Shoqata Humanitare “Nëna Tereza”, shoqata u përfaqësua denjësisht me prezantimin e bustit monumental të Kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si dhe me dy përkrenare simbolike, që mbajnë në vetvete krenarinë dhe trashëgiminë e pavdekshme të kombit tonë.

Mbrëmja u shoqërua nga interpretimet mbresëlënëse të Shkodran Tolajt dhe Besiana Memetit, të cilët sollën emocione të fuqishme, profesionalizëm dhe shpirt atdhetar përmes këngëve patriotike, veçanërisht atyre kushtuar vetë Skënderbeut. Atmosfera festive u pasurua edhe më tej nga Ansambli “Shqiponjat”, të cilët ndezën skenën me vallet tradicionale shqiptare, duke i dhënë aktivitetit një shkëlqim të veçantë dhe autenticitet të pashoq.
Kjo ngjarje u shndërrua në një bashkim të fuqishëm të kulturës, historisë dhe krenarisë shqiptare — një dëshmi e gjallë se rrënjët tona janë të thella, të forta dhe të përjetshme. Me respekt dhe dashuri për të pamposhturin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, na njoftoi ndër të tjera z.Pepaj. / Foto nga Shoqata “Gjergj Kastrioti” Zvicër.
helveticALforum.ch




