Një fenomen jashtëzakonisht shqetësues po shfaqet përmes video-lojërave dhe celularëve, paralajmëron shefja e Europol-it, Catherine De Bolle, e cila thekson se rrjete kriminale po rekrutojnë dhe “po i shndërrojnë fëmijët në armë”.
Sipas saj, këto organizata përbëjnë sot kërcënimin më të madh të vetëm ndaj Bashkimit Europian, duke destabilizuar shoqëritë përmes synimit ndaj më të pambrojturve, fëmijëve.
“Instrumentalizimi i fëmijëve nga organizatat kriminale është ajo që po ndodh aktualisht në territorin europian”, deklaroi ajo në një intervistë të përbashkët për Politico dhe Welt. “Fëmijët i përdorin për të torturuar ose për të vrarë. Nuk flasim më për vjedhje të vogla, por për krime të rënda.”
Ajo përmendi si “rastin më të tmerrshëm” një djalë të mitur të cilit iu dha urdhër të vriste motrën e tij më të vogël, urdhër që fatkeqësisht u ekzekutua.
De Bolle nuk përjashton mundësinë që fëmijët dhe adoleshentët të përdoren madje edhe nga shtete armiqësore si “spiunë” pa dijeninë e tyre, për të regjistruar komunikime rreth godinave qeveritare.
Si drejtuesja e agjencisë që koordinon informacionet dhe mbështet policitë kombëtare, ajo përshkruan një tablo kërcënimesh hibride në rritje dhe të një kriminaliteti të organizuar që përshtatet vazhdimisht.
Shefja e Europol paralajmëron gjithashtu për ndikimin e inteligjencës artificiale, shpërthimin e mashtrimeve online, si dhe metoda të reja për trafikimin e drogës, përfshirë përdorimin e “narko-nëndetëseve” gjysmë të zhytura, që nisen nga Amerika e Jugut drejt brigjeve të Atlantikut Verior, ku ngarkesa merret nga skafe të shpejta.
Rekrutimi përmes video-lojërave
Sipas Europol, kriminelët kontaktojnë fillimisht fëmijët përmes lojërave online me funksion bisede. Procesi nis me biseda të pafajshme për kafshët shtëpiake apo familjen, por më pas komunikimi zhvendoset në chat privat, ku kërkohen të dhëna personale të ndjeshme, si adresat e fëmijëve. Më tej, të miturit mund të detyrohen ose të blihen për të kryer dhunë, madje tortura, vetëdëmtim, vrasje apo edhe vetëvrasje. Europol ka dokumentuar 105 raste ku të miturit kanë marrë pjesë në akte të dhunshme “me porosi”, përfshirë 10 kontrata vrasjeje. Shumë tentativa dështojnë për shkak të papërvojës së fëmijëve, por pasojat janë serioze.
De Bolle përshkruan edhe raste ku kriminelët vrasin kafshën shtëpiake të fëmijës për ta kërcënuar: “Ne e dimë shumë mirë ku jeton, kush je; do të bindesh dhe nëse nuk bindesh, do shkojmë edhe më larg, deri në vrasjen e nënës apo babait tënd.”
Rekrutimi nuk prek vetëm fëmijët e cenueshëm. Në shënjestër bien edhe adoleshentë pa probleme të dukshme, madje edhe ata që “thjesht duan një palë atlete të shtrenjta”. Në disa raste, të rinjtë përdoren nga institucione shtetërore për operacione hibride, duke mbledhur zëra dhe biseda rreth ndërtesave me rëndësi shtetërore.
Sapo policia arrin të identifikojë një fëmijë, rrjetet kriminale e braktisin menjëherë dhe kalojnë te viktima tjetër. “Prindërit fajësojnë veten. Nuk e kuptojnë se si është e mundur”, thekson De Bolle, duke shtuar se problemi thellohet nga fakti që prindërit shpesh nuk kanë qasje të plotë në aktivitetin online të fëmijëve, ndërsa përpiqen të ruajnë privatësinë e tyre. “Si prind, duhet të flasësh me ta për rreziqet e internetit.”
Drogat dhe inteligjenca artificiale
Në fushën e trafikimit të drogës, organizatat po shmangin portet e Europës Veriore, duke përdorur mjete gjysmë të zhytura që transportojnë kokainë deri në Portugali, ku ngarkesa merret me skafe. Sipas De Bolle, Europa është tashmë “e përmbytur nga droga”, por fitimet më të mëdha për rrjetet kriminale sot vijnë nga mashtrimet online.
“Inteligjenca artificiale shumëfishon krimin”, thekson ajo. “Mashtrimet elektronike janë rritur ndjeshëm, dhe email-et e phishing nuk dallohen më gjuha është perfekte.”
Njëkohësisht, po rritet edhe “romance fraud”, me përdorues që kërkojnë lidhje romantike dhe përfundojnë viktima të mashtrimit. Deepfake-t dhe sistemet automatike të imitimit të zërit e vështirësojnë punën e autoriteteve, që hasin vështirësi të dallojnë çfarë është e vërtetë. De Bolle ngul këmbë që shërbimet e sigurisë të kenë mundësi, me urdhër gjykate, të aksesojnë mesazhet e enkriptuara për të çmontuar rrjetet kriminale. “Kur një gjyqtar vendos se duhet të kemi akses në të dhënat, ofruesit online duhet të detyrohen ta ofrojnë atë akses”, thotë ajo. “Përndryshe, do të jemi të verbër dhe të paaftë për të bërë punën tonë.”
Me rrjetet kriminale që po “industrializojnë” rekrutimin e fëmijëve, De Bolle paralajmëron: “Kjo lidhet me të ardhmen e Bashkimit Europian. Nëse i humbasim këta fëmijë, humbasim gjithçka.”, transmeton oranewsal.
(Foto D.H)




