Spitalet në Britaninë e Madhe po përgatiten për një sezon gripi që, sipas ekspertëve të shëndetësisë, shfaqet vetëm një herë në rreth dhjetë vjet. Një variant i mutuar i virusit të influencës, H3N2, po përhapet me shpejtësi, sidomos tek të rinjtë dhe fëmijët. Specialistët paralajmërojnë se një valë e fuqishme gripi mund të çojë në rritje të ndjeshme të shtrimeve në spital, veçanërisht tek të moshuarit.
Përballë kësaj situate, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) ka zgjeruar kapacitetet emergjente, ka forcuar shërbimet ambulatore për të shmangur mbingarkimin e spitaleve dhe po i bën thirrje personelit dhe popullsisë të vaksinohen.
Cila është gjendja në Zvicër?
Yves Platel, president i Shoqatës së Farmacistëve të Cyrihut (AKVZ), thotë se edhe në Zvicër është vërejtur një rritje e qartë e simptomave virale që nga fundi i shtatorit dhe gjatë tetorit. Duke u bazuar në rritjen e shitjeve të produkteve kundër të ftohtit, ai thekson se nuk mund të dallohen saktësisht rastet e gripit nga infeksionet tjera virale vetëm në bazë të këtyre të dhënave.
Pacientët raportojnë simptoma tipike si rrjedhje të hundëve, kollë të thatë dhe dhimbje të fytit. Fëmijët janë më të prekur se zakonisht, ndonëse jo në mënyrë të pazakontë krahasuar me grupmoshat mbi 65 vjeç.
Platel shpjegon se është ende e paqartë nëse sezoni i gripit në Zvicër do të jetë po aq i rëndë sa në Britani. Parashikimet varen nga disa faktorë: niveli i imunitetit të popullsisë (vaksinimi), kushtet klimatike dhe sjelljet sociale. Megjithatë, situata në vendet fqinje mund të sinjalizojë zhvillimet e mundshme.
H3N2 – një variant që shpesh shkakton sezone të rënda gripi
Varianti i mutuar i H3N2 u identifikua për herë të parë në qershor. Analizat gjenetike tregojnë se ai vjen nga një linjë virale që shkaktoi sezonin më të rëndë të gripit në historinë e fundit të Australisë, ku u regjistruan mbi 400 mijë raste, transmeton 20min.ch, publikon helveticALforum.ch. Influenza A H3N2 është një nga nën-tipat më të shpeshtë mes njerëzve, veçanërisht në hemisferën veriore. Ai lidhet më së shumti me shpërthime të forta të gripit tek të rriturit, ndërsa H1N1 prek më shpesh fëmijët dhe të rinjtë. Për këtë arsye, mutacionet e H3N2 shpesh qëndrojnë pas valëve më të rënda të gripit.
Në Zvicër, ky nën-tip qarkullon rregullisht, por deri tani nuk është identifikuar asnjë mutacion i ri në proteinën HA. Sipas Platel, aktualisht nuk ka shenja për një valë të përforcuar gripi të shkaktuar nga variante të reja. Megjithatë, mbetet thelbësore monitorimi i vazhdueshëm i të dhënave të sekuencimit për të zbuluar mutacione të mundshme në kohë, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




