
Përgatiti Dashnim HEBIBI, Cyrih
Në selinë qendrore të FIFA-s në Cyrih është zhvilluar sot një takim miqësor e profesional mes ish-presidentit të Kosovës, njëherësh lobistit dhe bamirësit të njohur, z. Behgjet Pacolli, dhe Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Pacolli, i cili ndodhej në Cyrih me rastin e shortit të play-offit, u bashkua me personalitetet nga futbolli kosovar, përfshirë përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Përmes një fotografie të publikuar nga vetë Pacolli, ai shprehet i kënaqur për mundësinë e takimit dhe diskutimeve të zhvilluara në selinë e institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
“Sot pata kënaqësinë të takoj Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në një atmosferë të ngrohtë miqësore dhe profesionale,” është shprehur Pacolli, duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për avancimin e sportit dhe fuqizimin e lidhjeve të Kosovës në arenën globale. Siç dihet, FIFA ka selinë në Cyrih nga viti 1932.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për futbollin kosovar, ndërsa ekipi përfaqësues dhe strukturat drejtuese të futbollit në vend po punojnë për rritjen e cilësisë dhe prezencës ndërkombëtare. Prania e Pacollit në këtë event shton një dimension të veçantë diplomatik dhe mbështetës për sportin në Kosovë.
Ngjarja është pritur pozitivisht, duke u vlerësuar si një tjetër hap drejt forcimit të imazhit dhe marrëdhënieve të Kosovës në botën e futbollit. (Foto nga Behgjet Pacolli)




