Nga Dashnim HEBIBI, Cyrih
Z. Lazim Destani e do unitetin gjithandej ku flitet shqipja – të bashkojmë forcat me afaristët, shkencëtarët e të gjitha fushave për të dëshmuar historinë dhe kulturën tonë si populli më i vjetër i Evropës
Cyrih, 30 shtator – Diaspora shqiptare, si gjithmonë, edhe këtë herë është duke e përcjellë me interes të madh fushatën zgjedhore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të zgjedhjeve lokale.

Aktivistë e veprimtarë të njohur, secili në mënyrën e vet, po kontribuojnë për të mirën e kombit e shtetit. Ndër të gjithë, një figurë që spikat dhe njihet në çdo trevë shqiptare është filantropi Lazim Destani – një personalitet që të vegjël e të mëdhenj e respektojnë jo vetëm për suksesin financiar, por mbi të gjitha për kontributin e vazhdueshëm në bamirësi, unifikim e zhvillim kombëtar.
Në Cyrih, u mblodhën shumë afaristë dhe shkenctarë për të darkuar, për të biseduar e për të shijuar puro të veçanta, një produkt tashmë i lidhur ngushtë me emrin e Lazim Destanit dhe stafit të tij. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, e mbushur me krenari dhe ndjenja të forta bashkimi. Në oborrin e njërit prej restoranteve më të njohura në Cyrih me pronarin shqiptarë nga Gjakova – i dalluar për shërbim, pamje e kuzhinë – të pranishmit u fotografuan me z. Destani dhe stafin e tij, duke përjetuar momente që mbeten kujtim i çmuar.
Nga tradita në inovacion – puro shqiptare me emrin QUNTO
Në këtë ngjarje, u prezantuan edhe purot e markës QUNTO, një projekt unik i udhëhequr nga shqiptarë dhe i mbështetur fuqishëm nga Lazim Destani. Dan Ibrahimi prezantoi disa lloje purosh të rralla, të punuara me mjeshtëri nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilat tashmë janë të disponueshme edhe në Cyrih, te restoranti “Churrasco”. Z. Ibrahimi ishte ekspertë i puros ngase e përcjell nga mbjellja e deri te finalja me shumë profesionalizëm. Çdo i pranishëm pati rastin të shijonte nga afër cilësinë e tyre të lartë, një produkt që përçon krenari kombëtare, pasi disa prej tyre mbajnë edhe simbolin e shqiponjës në unazën e tyre.

Puro LD nga Lazim Destani
Puro e veçant me një edicion i limituar me inicialet “LD”, në nder të filantropit dhe biznesmenit Lazim Destani. Pjesë e brendit “Puro QUNTO”, ky projekt është realizuar me pasion nga aktori dhe adhuruesi i purove, Blerim Destani.
Që nga viti 2018, purot prodhohen në fabrikën Vegas Santiago në Kosta Rika, me fletë kopertine H-2000 nga Ekuadori, lidhës të zgjedhur me kujdes dhe mbushje të përzier nga duhani Domenikan, Peruan dhe Kostarikan. Një eksperiencë unike që mund ta përjetoni edhe online: CigarWorld – Puro QNTO . Profesori i njohur, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, i cili përdor shpesh puro, u shpreh se këto produkte janë të veçanta dhe i dallojnë për cilësi. Afaristët e tjerë të pranishëm gjithashtu mbetën të kënaqur, duke përgëzuar vizionin dhe punën e kombasve tanë që tashmë kanë krijuar një brand me renome ndërkombëtare.
Fjalët e Lazim Destanit – thirrje për bashkim
Gjatë mbrëmjes, z. Destani i rrethuar nga miq e bashkëkombës, theksoi se është larg atdheut fizikisht, por gjithmonë pranë me shpirt e zemër. Ai u shpreh se nuk anojnë nga asnjë subjekt politik, por dëshiron që shqiptarët në Kosovë e Maqedoni të dalin masovikisht në zgjedhje, duke ruajtur unitetin dhe vëllazërinë.
“Ne si komb kemi kaluar vuajtje dhe dhimbje të mëdha. Politika le të bëhet, por jo të bëhemi të hasmuar. Vetëm të bashkuar jemi të fortë, të ndarë mbetemi të dobët”, tha ai.

Ai kujtoi gjithashtu me humor se si djalit të tij, aktorit Blerim Destani, i kishte rekomanduar njëherë puro të shoqëruar me çokollatë të zezë – një kombinim që prej asaj dite nuk e ka lënë më. “Puro të qetëson pas një dite të ngarkuar. Kur shikon ndeshje futbolli, gollat i shijon më shumë me një puro në dorë”, u shpreh ai, duke dhënë mesazhin se jeta duhet jetuar me mirënjohje dhe punë, por edhe me kënaqësi e harmoni. Gjithashtu përmendi edhe kur ju kanë prezentuar llojet e purove, ai i ka pranur të gjitha ngase janë nga ekspertë, por ka dashur që të kenë edhe simbolin kombëtar të shqiptarisë e të gjithë e duatrokitën për fjalët e tij të përzemërta.
Përshëndetja e ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri
Në mesin e përshëndetjeve të shumta, nuk mungoi as ajo e ambasadorit Rexhep Demiri, i cili ndodhej me pushime në atdhe bashkë me familjen. Përmes telefonit të mikut të tij, Adis Tairi, ai përcolli një mesazh të ngrohtë për të gjithë të pranishmit, duke u shprehur:
“Ju përshëndes nga zemra të gjithëve, e në veçanti filantropin Lazim Destani, i cili ka ditur, di dhe do të dijë gjithmonë të mbledhë rreth vetes atdhetarët dhe shpirtbardhët, si shqiponja në fole.”
Ky mesazh u prit me duartrokitje e emocion, duke e forcuar edhe më shumë bindjen se dashuria për atdheun, respekti dhe uniteti janë ura që lidhin shqiptarët kudo që ndodhen.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin:
Lazim Destani, Blerim Destani, Prof. Dr. Omer Xhemaili, Dan Ibrahimi, Nazmi Jakurti, Florim Useini, Afrim Mehmeti, Atdhe Jasiqi, Milaim Berisha, Fehim Abazi, Jetmir Alimi, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Nadi Zendeli, PhD. Dashnim Hebibi, Faik Mjaki, Sami Mustafa, Nuredin Useini, Hadi Asani, Granit Kabashi, Agim Gashi, Gzim Hasani, Adis Tairi, dhe shumë afaristë e veprimtarë të tjerë.
Një mbrëmje për t’u kujtuar
Pas një darke të pasur e të shijshme, shoqëruar me puro e pije të llojllojshme, u shkëmbyen ide, u ndanë përvoja dhe mbi të gjitha u përforcua besimi se shqiptarët kudo që janë, kur bashkohen, arrijnë suksese të mëdha. Rreth mesnatës, u bënë fotografi kujtimi, duke e përmbyllur takimin me shpresën e madhe se zgjedhjet e ardhshme do të kalojnë pa incidente dhe se do të fitojë më i miri.
Florim Useini, në fund i përshëndeti të gjithë që i kishte ftuar, duke i porositur që pas kthimit në shtëpi t’i dërgojnë një mesazh si shenjë kujtese e mirësie me të vetmin qëllim, se a keni mbërri mirë dhe një natë të mirë. Një gjest i vogël ndoshta, por me peshë të madhe miqësie.
Kjo mbrëmje në Cyrih nuk ishte thjesht një darkë. Ajo ishte një dëshmi e gjallë se shqiptarët, me punë, vizion dhe bashkim, janë faktor i rëndësishëm kudo në botë.
Mesazhi i Lazim Destanit është i qartë: bashkimi është forca jonë më e madhe. Vetëm duke u mbështetur te njëri-tjetri, duke bashkuar afaristët, shkencëtarët, artistët, sportistët e çdo fushe, mund të dëshmojmë para botës se jemi ndër popujt më të vjetër të Evropës, me histori, kulturë dhe traditë të pasur, por edhe me të ardhme të ndritur.

Nga Cyrihu u dha një mesazh i madh:
Bashkimi është bekim, përçarja është mallkim. Shqiptarët, kudo që janë, duhet ta kuptojnë se nderi, besa dhe uniteti janë thesaret tona më të shtrenjta, më të shenjta se çdo pushtet apo pasuri.
Fjalët e Filantropit Lazim Destani nuk ishin vetëm thirrje:
Të ruajmë njëri-tjetrin si vëllezër, të ngrihemi së bashku si komb, dhe të mos lejojmë kurrë që ndarja të na dobësojë. Vetëm kështu do ta dëshmojmë para botës se jemi jo vetëm populli më i vjetër i Evropës, por edhe kombi me forcën, historinë dhe kulturën që buron nga drita e Zotit dhe besa shqiptare.
Padyshim se në këtë darkë u folën edhe shumë fjalë të mira për z. Destani, por po e përfundoj këtë fotoreportazh me fjalët e z.Lazim Destani:
“Kjo jetë është e shkurtër, por përgjegjësitë dhe mundësitë tona janë të mëdha. Ne kemi një histori të pasur kombëtare që duhet ta ruajmë me krenari dhe të punojmë pa pushim për të mirën tonë dhe të të rinjve që do të vijnë pas nesh. Duhet të ruajmë miqësinë me Zvicrën dhe shtetet mike, të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të punojmë për paqe të qëndrueshme.
Si popull, ne e kemi dëshmuar me shekuj se jemi të paqes, të dashurisë dhe të respektit, duke dhënë botës personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë në kulturë, shkencë dhe art. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku, të frymëzojmë njëri-tjetrin dhe të jemi shembull se me unitet, punë dhe besim tek vlerat tona, mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë për kombin tonë dhe brezat që do të vijnë.”