“Duhet të ndalemi në Salzburg, të takohemi me një mik të mirë.”Nuk hezitova asnjë çast dhe me kënaqësi i thashë se kjo do të ishte një mundësi e artë, pavarësisht se koha ishte e vonë. Miku që na priste ishte veprimtari i njohur i diasporës, afaristi i suksesshëm dhe humanisti me zemër të madhe, z. Nexhmedin Ahmeti. Ai është një emër i nderuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në mërgatë, një personalitet i kompletuar në çdo aspekt: si afarist vizionar, bamirës i përkushtuar dhe mbi të gjitha, njeri me karakter të sinqertë.

Duke e ditur se ne vinim nga një rrugë e gjatë, z. Ahmeti kishte menduar çdo detaj. Për të mos na lodhur më tej duke hyrë në qytet, kishte zgjedhur një vend strategjik pranë autostradës, aty ku mikpritja do të ishte edhe më e lehtë për ne. Dhe vërtet, vetëm miqtë e mirë dalin në atë orë të natës për të pritur mysafirë pa paralajmërim të gjatë, duke treguar se miqësia e vërtetë nuk matet me kohë, por me zemër.Sapo u takuam, përqafimi dhe përshëndetja e ngrohtë e Ahmetit e largoi lodhjen që kishim grumbulluar gjatë rrugës. Na ftoi menjëherë për darkë, edhe pse ne kishim ngrënë diçka më parë. Por kur mikpritja është e sinqertë, nuk mund t’i shmangesh tryezës së shtruar. Darka u pasua me kafe dhe një bashkëbisedim të frytshëm, ku koha kaloi pa u ndier. Ora shkoi pas mesnate, por bisedat tona vetëm sa e shtonin kënaqësinë e takimit.Ahmeti tregoi me pasion për projektet e tij të shumta, për vizionin që ka jo vetëm në Austri, por edhe në Zvicër, Dubai dhe në vende të tjera të Evropës e botës. Ishte e mahnitshme të dëgjoje përvojat dhe idetë e tij, një dëshmi e qartë se diaspora shqiptare ka afaristë profesionistë të zotë, të cilët me hapa të sigurt po ndërtojnë të ardhmen. Bashkë me Florimin, që vetë njihet për miqësinë e tij të sinqertë dhe përkushtimin ndaj vlerave të vërteta, bisedat u kthyen në frymëzim për të ardhmen e mërgatës sonë.
Kur e pa që ishim të lodhur, z. Ahmeti na ofroi të pushonim në një hotel aty afër, madje u përpoq të rezervonte menjëherë dy dhoma. Ky ishte një gjest i vogël, por me peshë të madhe, që tregonte kujdesin e tij të natyrshëm për miqtë. Ne e falënderuam, por vendosëm të vazhdojmë udhëtimin drejt Cyrihut, ku na prisnin takime të tjera dita e nesërme. Bashkëbiseduam edhe për sam24.info dhe për Institutin Shkencor Helvetic të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër.
Ajo që mbeti më e paharrueshme ishte mënyra si na përcolli. Nuk mjaftoi vetëm përshëndetja, por na shoqëroi me veturë deri në një pjesë të rrugës, ashtu siç bëhet në atdhe, kur mysafiri përcillet me nderim e respekt deri sa ta marrë rrugën. Ishte një gjest i thjeshtë, por që mbart kuptimin më të madh të mikpritjes shqiptare.
Në ato momente më erdhën ndër mend fjalët e urta: “Gjersa kemi miq të mirë, kemi gjithçka.” Dhe vërtet, miq të tillë e bëjnë më të lehtë çdo rrugë, çdo udhëtim dhe çdo sfidë të jetës.
Me zemër të mbushur falënderimi, vazhduam udhëtimin drejt Cyrihut e më pas Florimi drejt Luzernit. Rrugës, nuk pushtuam më nga lodhja, sepse frymëzimi që morëm nga ky takim e bëri udhëtimin tonë historik edhe më kuptimplotë. Bisedat tona u kthyen rreth arritjeve të Ahmetit dhe miqve të tij të tjerë, duke reflektuar mbi forcën e diasporës shqiptare dhe potencialin e saj të madh.
• Një mik i mirë është si një dritë që të ndriçon rrugën edhe kur gjithçka duket e errët.
• Miqësia nuk matet me kohë, por me sinqeritet dhe besnikëri.

Në fund, mbetet vetëm një e vërtetë: pasuria më e madhe e njeriut nuk janë arritjet apo pasuritë materiale, por njerëzit që i ka pranë, miqtë që e mbështesin dhe e nderojnë me zemër. Vazhdojmë…
Dashnim Hebibi