Milani vijon përforcimet edhe pse janë orët e fundit të merkatos, ndërsa ka nisur bisedimet me Liverpulin për mbrojtësin Gomez. Skuadra tjetër italiane, Juventus ka arritur akordin personal me sulmuesin shqiptar Edon Zhegrova.
Merkato e transferimeve po shkon drejt fundit dhe ky është momenti ku skuadrat marrin verdiktet përfundimtare, një prej tyre është Milani që ka zhvilluar një verë pozitive, ndërsa synon të afrojë në limite mbrojtësin Joe Gomez nga Liverpool. Palët kanë nisur bisedimet me njëra-tjetrën dhe vetë lojtari do ta dëshironte një kalim në San Siro, ndërsa nuk bëhet fjalë për huazim, por blerje të plotë të kartonit të shtatlartit. Liverpool dëshiron të afrojë Marc Guehi nga Crystal Palace, e nëse kjo arrihet, atëherë Gomez është i lirë ti bashkohet kuqezinjve.
Juventus ka arritur akordin personal me Edon Zhegrovën, sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës, i cili është pjesë e Lille në Francë. Vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të kaluar në Serinë A, madje është dakordësuar me kushtet e bardhezinjve, por një detaj e pengon këtë lëvizje. Nico Gonzalez i cili është drejt kalimit të Atletico Madrid, e në rast se konfirmohet atëherë Zhegrova kalon në Torino.
Historia më interesante e transferimeve këtë verë është padyshim ajo e Nicolas Jackson, i cili u nis për të kryer vizitat mjekësore te Bayern. Chelsea ishte dakordësuar me bavarezët, por dëmtimi i Delap bëri që blutë të njoftonin skuadrën gjermane se lojtari duhet të kthehet në Londër, një veprim që duket më tepër komik, në një nivel të tillë futbolli. Vetë Jackson dhe menaxheri i tij deklaruan se nuk do të kthehen në Angli, por drejtuesit bavarezë pohuan se do të respektohen mërrëdhëniet me Chelsean mbi këtë lëvizje, transmeton euronewsal.