Nga: Dashnim HEBIBI
Zürich, 25 gusht 2025 – Po afrohen zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa mërgata shqiptare ende pret të shohë se çfarë do të ndodhë me votat që i dha në shkurt të këtij viti në zgjedhjet parlamentare. Mërgata, siç dihet e siç shihet, është e thyer shpirtërisht nga ajo që po ndodh në Parlamentin e Kosovës, ku ende nuk është gjetur një zgjidhje. Çdo 48 orë po përsëriten të njëjtat fjalë, duke u përpjekur secila palë t’ia hedhë fajin tjetrës, por pa asnjë hap konkret. Ndërkohë, Kosova po humb shumë.
Gjatë fundjavës kontaktuam disa bashkatdhetarë në një tubim dhe i pyetëm se si e shohin situatën në Kosovë dhe nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Përgjigja ishte e qartë: po, do të votojmë, sepse tani kemi të bëjmë me njerëz që kanë punuar për qytetin apo fshatin tonë dhe që i njohim mirë. Kjo tregon se ekziston ende një shpresë e madhe që mërgata do ta japë përsëri votën e saj për të mirën e Kosovës.
Mërgimtarët, të moshave dhe trevave të ndryshme, thanë se ajo që po ndodh në Kosovë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është turp, shkurt e shqip. Nuk e dinë çfarë do të ndodhë më tej, por një gjë e thonë me bindje: kjo gjendje nuk i falet asnjërës palë politike. Është e dhimbshme, kur në vend ka papunësi të madhe, çmime të ngritura dhe tollovi në çdo aspekt të jetës.
“Ne nuk jetojmë më në Kosovë, por kur shkojmë atje e duam me gjithë shpirt, sepse nga atje jemi dhe atje kemi familjet tona. Nuk po e kuptojmë pse politikanët nuk ulen e nuk bashkëbisedojnë. Jemi bërë gaz i botës. Sikur po harrojmë se çfarë ka përjetuar ai vend.
Mosni, vëllezër,” – kështu u shprehën mërgimtarët që pritnin të takonin një kryetar komune nga Kosova për të dëgjuar mbi arritjet e katër viteve të fundit.
Ata konfirmuan se për zgjedhjet lokale janë regjistruar dhe do të votojnë. Mesazhi i tyre ishte i qartë: sa herë që ka nevojë për zërin dhe forcën e mërgimtarit, ne jemi me Kosovën, sepse zemrën e kemi në Kosovë.
Mërgata është pasuri e Kosovës.
Ata duan që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje politike dhe të punohet për ndërtimin e vendit tonë. Sepse mërgata është me shpirt për të mirën e Kosovës.