Turistë nga e gjithë bota kanë zgjedhur të vizitojnë Tiranën dhe Shqipërinë.
Investimet në infrastrukturë, arkitekturë, por edhe sitet historike e kanë shndërruar kryeqytetin në një nga destinacionet turistike më të preferuara gjithëvjetore nga turistët e huaj. Por, jo vetëm Tirana, edhe Shqipëria është shndërruar në një ofertë turistike të turizmit gjithëvjetor, me atraksione të të gjitha llojeve, nga kultura, arti, historia apo kulinaria.
Agjencia Telegrafike Shqiptare gjatë një vëzhgimi në kryeqytet ka takuar nga afër turistë nga Evropa dhe jo vetëm.
ATSH ka vëzhguar grupet e turistëve në Tiranë, që me aparate fotografike fiksojnë arkitekturën, muzetë, por edhe aktivitetet e ndryshme që zhvillohen gjatë ditës dhe mbrëmjes në kryeqytet, teksa shijojnë edhe gatimet tradicionale.
Një grup prej pesë turistësh, teksa dalin nga Xhamia e Et’hem Beut, shprehen për ATSH-në se kanë ardhur nga Belgjika.
“Ne jemi një grup miqsh që kemi ardhur për të shijuar bukuritë e Shqipërisë. Prej dy ditësh jemi në Tiranë dhe po shohim disa nga vendet më të bukura këtu. Ndërsa, shtatë ditë ishim në Sarandë ku shijuam plazhet me ujërat e kaltra dhe ushqimin e shijshëm. Na pëlqen shumë mikpritja këtu, ushqimi, por sidomos arkitektura e veçantë”, pohuan ata.
Disa metra më tutje, në një tjetër atraksion të Tiranës siç është e Kulla e Sahatit, dy italiane, Sofia dhe Ilaria, shprehen për ATSH-në se janë shumë të lumtura që ndodhen në Tiranë, pas disa ditë pushimesh në Vlorë.
“Ishim disa ditë në Vlorë dhe vërtet që e kemi shijuar këtë eksperiencë. Nuk kemi ardhur me grup turistësh apo guidë, por me iniciativën tonë. Edhe Tirana po na pëlqen shumë si qytet. Sapo vizituam Kullën e Sahatit, diçka që nuk e kishim parë më parë. Mendojmë se do të kthehemi sërish për pushime këtu, vitin e ardhshëm”, u shprehën ato.
Ndërkohë, një grup tjetër i madh turistësh prej më shumë se 20 personash, me kombësi turke, u pozicionuan në sheshin “Skënderbej”, ku zgjodhën të bëjnë foto pranë Heroit tonë Kombëtar, ndërsa më parë thanë se kishin vizituar edhe Piramidën dhe “Bunk’Art”.
Një grup tjetër turistësh, të drejtuar nga ciceroni i një agjencie turistike të Tiranës, u shprehën të kënaqur nga pushimet në disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë.
“Ky është një grup shumë i madh turistësh nga Spanja, Uruguai dhe Bogota. 80% e tyre janë spanjollë dhe pjesa tjetër nga Uruguai dhe Kolumbia. Normalisht pikat kryesore që vizitojnë janë Riviera, jugu i Shqipërisë si Saranda, Vlora, por preferojnë shumë edhe eksperiencat në gjiret si ai i Gramës apo Gjipeja. Turistët preferojnë edhe qytetet-ikonë si Berati apo Gjirokastra. Përgjithësisht, vijnë me guidë ose drejtohen në agjenci lokale turistike”, tha ciceronia e agjencisë.
Turistët i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej”, te “Piramida”, në Bunk’Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzetë e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Tirana është një nga qytetet më të gjalla të Evropës Juglindore që është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe ai i aventurës.
Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina, janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art” 1 dhe 2, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, etj. Grupet e turistëve i gjen kryesisht te sheshi “Skënderbej”, te Kalaja e Tiranës dhe te Pazari i Ri. /ATSH/Telegrafi/