/ Nga: Dashnim HEBIBI
Sot bëhen plot 14 vite që nga ndarja nga jeta e zonjës Nekibe Kelmendi – një emër i shenjtëruar në kujtesën tonë kolektive. Grua e dhembjes, e dinjitetit dhe e qëndresës. Në marsin e vitit 1999, në ditën e parë të bombardimeve, forcat serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e palodhur të të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, si dhe dy djemtë e saj të rinj, Kushtrimin dhe Kastriotin.
Ajo qëndroi, nuk u thye. E humbi familjen, por e fitoi zemrën e një kombi të tërë. Mbeti zëri i grave që i përballuan stuhi të pamëshirshme, një shembull i rrallë i forcës shpirtërore dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Në këtë foto, e kemi pasur fatin që ta kemi pranë në një organizim të madh të diasporës shqiptare në Zvicër, ndër më të mëdhenjtë që organizonte Malesia Reisen, nën drejtimin e presidentit Rrustem Aliaj – një bamirës, afarist dhe atdhetar i dëshmuar. Aty ku fryma e kombit mblidhej dhe ishte në përkrahje të së ardhmes.
Lavdi përjetë zonjës Nekibe Kelmendi. Kujtimi i saj nuk do të zbehet kurrë. Ajo jeton në zemrat tona, në historinë tonë dhe në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe drejtësisë.