/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Cyrih, 02 qershor 2025 – Në një atmosferë të mbushur me ngrohtësi dhe emocione, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih festoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, më 1 Qershor, së bashku me fëmijët e mërgatës dhe familjet e tyre. Kjo ngjarje e veçantë solli jo vetëm gëzim dhe buzëqeshje, por edhe një ndjesi të fortë përkatësie dhe kujdesi ndaj brezave të rinj që po rriten jashtë atdheut, por me gjuhën dhe kulturën shqipe në zemër.

Sot, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih u mbush me zëra fëmijësh, të qeshura dhe gëzim. Ishte një ditë e veçantë, që e ndamë me fëmijët tanë dhe prindërit e tyre – pjesë e pandashme e komunitetit tonë në mërgatë.
Me shumë dashuri dhe përkushtim, festuam së bashku duke krijuar kujtime të bukura dhe momente që do të mbesin gjatë në mendjet dhe zemrat e më të vegjëlve. Fëmijët sollën me vete një gjallëri të rrallë, duke mbushur hapësirat e Konsullatës me jetë, hare dhe ndjenjë të pastër komunitare.

Konsullata është shtëpia e tyre – vend i takimeve, përkrahjes dhe kujdesit për familjet tona në diasporë. Ajo është hapësira ku kultura, gjuha dhe identiteti shqiptar ruajnë gjallërinë e tyre, veçanërisht për fëmijët që janë e ardhmja jonë, theksoi z. Berisha.
Edhe 1 Qershori pra nuk i iku vëmendjes së shefit të misionit diplomatik të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha. Ai mirëpriti disa fëmijë të mërgatës dhe u dha hapësirë të flasin lirshëm, të shprehen dhe të ndihen të dëgjuar.
“Një foto kujtimi”, tha z. Berisha, “do ta ruaj me shpirt, sepse në të shoh të ardhmen – një brez që nuk do ta harrojë gjuhën shqipe dhe që do të rritet me dashuri për Kosovën dhe me miqësi të fortë me shtetin mik zviceran.”

Kjo ditë ishte shumë më tepër se një festë – ishte një përqafim simbolik mes brezave, një dëshmi se edhe larg Kosovës, zemrat e fëmijëve tanë rrahin shqip.
SAM24.info