Gjenevë, 27 maj 2025 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Sh.T. Mentor Latifi, së bashku me Udhëheqësen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, u pritën në një takim kurtuazie nga Kryetarja e Qeverisë së Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, znj. Nathalie Fontanet.
Ky takim shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kantonit të Gjenevës. Palët diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë në integrimin e komunitetit kosovar në Zvicër dhe përfshirjen e tij aktive në jetën shoqërore dhe institucionale të kantonit.

Gjithashtu, gjatë takimit u trajtua roli i Gjenevës si një qendër ndërkombëtare e rëndësishme dhe nevoja për rritjen e angazhimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare me seli në këtë qytet. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e ndërtimit të një bashkëpunimi më të strukturuar dhe të qëndrueshëm, duke u bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike dhe respektin e ndërsjellë institucional.
Ambasadori Latifi dhe znj. Kabashi falënderuan znj. Fontanet për mikpritjen dhe vullnetin për bashkëpunim, ndërsa ajo, nga ana e saj, shprehu gatishmërinë e plotë për të forcuar më tej lidhjet me Republikën e Kosovës dhe për të mbështetur përpjekjet për integrimin e diasporës kosovare në Gjenevë.

Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës për të ndërtuar ura bashkëpunimi me autoritetet zvicerane, si dhe për të promovuar pozitën dhe interesat e shtetit dhe qytetarëve të saj në arenën ndërkombëtare. / SAM24.info