BallinaDiaspora“Sot, 5 Tetor, do ta kishe datëlindjen, Nonë” – rrëfimi prekës i...

“Sot, 5 Tetor, do ta kishe datëlindjen, Nonë” – rrëfimi prekës i Dashnim Hebibit

-

Përgatiti Dahest LUMA

Një shkrim me plot emocione nga PhD. Dashnim Hebibi, i publikuar në rrjetet sociale në kujtim të nënës së tij të dashur, Xhevahires, ka prekur shumë lexues. Në ditën kur ajo do të festonte ditëlindjen, Hebibi ka ndarë me publikun një rrëfim të thellë për mallin, dashurinë, kujtimet dhe dhimbjen e pazëvendësueshme që sjell humbja e nënës.

PhD. Dashnim Hebibi është një emër i njohur në diasporë, ndërsa përmes punës dhe angazhimit të tij ndër vite ka dhënë kontribut të vazhdueshëm edhe në çështje me karakter kombëtar. Por këtë herë, ai nuk ka shkruar për një çështje publike. Ka shkruar për nënën. Shkrimi i tij është një letër me plot emocione për një nënë, por njëkohësisht edhe një mesazh për të gjithë ata që ende i kanë prindërit pranë: mos e kurseni dashurinë, mos e shtyni një përqafim dhe mos prisni mungesën për ta kuptuar vlerën e pranisë së tyre.

Më poshtë po e publikojmë të plotë shkrimin e PhD. Dashnim Hebibit:

SOT, 5 TETOR, DO TA KISHE DATËLINDJEN, NONË

Ah, shpirt e Nonë… Sot është 5 Tetori. Dita jote. Një datë që dikur do të më mbushte zemrën me gëzim, ndërsa sot më hap një plagë që nuk di të mbyllet. Një datë që dikur do ta prisja për të të përqafuar e për të të thënë “Gëzuar datëlindjen, Nonë!”, sot më gjen duke shkruar për ty me një mall që nuk ka më ku të shkojë.

5 Tetori erdhi përsëri, por ti nuk erdhe me të.

Dhe kjo është dhimbja që nuk mësohet kurrë. Më dhemb mungesa jote në një mënyrë që fjalët nuk arrijnë ta shpjegojnë. Ka dhimbje që qajnë me zë, por ka edhe dhimbje që heshtin dhe jetojnë brenda njeriut. Ti je ajo dhimbje që unë e mbaj në heshtje. Je mungesa që më shoqëron në mëngjes, në mbrëmje, në gëzim e në dhimbje. Je emri që zemra ime e thërret edhe atëherë kur buzët nuk flasin.

Sot do të doja të të kisha pranë. Do të doja të dëgjoja zërin tënd, të shihja sytë e tu, të ndjeja dorën tënde mbi kokën time dhe për një çast të besoja se koha nuk kishte kaluar. Do të doja të kthehesha edhe një herë në ditët kur ti ishe aty dhe unë ende nuk e dija se sa e shtrenjtë ishte prania jote. Sepse njeriu, ndoshta, nuk e kupton madhështinë e nënës derisa ta humbë.

Nëna është ajo prani që duket e zakonshme derisa një ditë bëhet mungesa më e madhe e jetës. Mbrëmë u zgjova dy herë nga gjumi. Në atë heshtje të thellë të natës, kur njeriu mbetet vetëm me mendimet e veta, zemra ime shkoi te ti. Nuk e di nëse më zgjoi malli, kujtimi apo ajo pjesë e shpirtit që ende nuk pranon se ti nuk je më këtu. Por u luta për shpirtin tënd të bardhë, Nonë. Sepse ti nuk ishe vetëm nona ime. Ti ishe zemra ime. Ishte dora që më ngrinte kur rrëzohesha. Ishte fjala që më qetësonte kur bota më rëndonte. Ishte zemra ku mund të kthehesha pa pasur nevojë të shpjegoja asgjë. Ti ishe vendi ku dhimbja ime bëhej më e lehtë. Dhe sot, ai vend nuk është më këtu. Nuk jam më ai që isha kur ishe ti. Ndoshta nga jashtë dukem i njëjti, flas, punoj, qesh, vazhdoj përpara… por brenda meje mungon një botë e tërë. Mungon ti. Dhe kur mungon nëna, nuk mungon vetëm një njeri; mungon një pjesë e historisë sate, një pjesë e identitetit tënd, një pjesë e zemrës sate.

Ti nuk i festoje datëlindjet, Nonë. Gjithmonë thoshe:

“Dashni duhet me pas çdo ditë.”

Sot e kuptoj më thellë se kurrë këtë amanet tëndin. Dashuria për nënën nuk duhet të ketë datë, orë apo arsye. Nëna duhet dashur sa është gjallë, sa mund ta përqafosh, sa mund t’ia puthësh ballin, sa mund t’ia dëgjosh zërin. Sepse vjen një ditë kur mbetet vetëm fotografia.

Dhe fotografia nuk të përqafon.

Ti më thoshe:

“Jeta është e shkurtë, biri i Nonës. Bëni mirë edhe aty ku nuk ta di dikushi.”

Sa herë e kujtoj këtë fjali, më duket sikur po të dëgjoj.

Më thoshe edhe:

“Nëse të gjuan me gur dikush, ti jepi bukë, se është Zoti që i sheh gjërat.”

Kështu ishe ti. Nuk më mësove vetëm si të jetoja. Më mësove si të mbetesha njeri. Më mësove se mirësia nuk humbet, edhe kur nuk shpërblehet. Se zemra nuk duhet të bëhet gur, edhe kur të tjerët të gjuajnë me gurë. Se njeriu duhet të bëjë mirë jo për duartrokitje, por sepse Zoti i sheh gjërat. Kjo ishte pasuria jote, Nonë: një zemër që nuk u varfërua kurrë nga mirësia.

Ti ishe nënë me plot kuptimin e fjalës.

Ishe A-ja dhe Zh-ja e jetës sime. Fillimi im dhe mbështetja ime. Fjala ime e parë e ngrohtë dhe një nga dhimbjet më të mëdha që kam përjetuar ndonjëherë. Të gjej në çdo pikë gjaku që më ushqen zemrën. Të gjej në mënyrën si mendoj, në fjalët që them, në të mirën që mundohem të bëj. Të gjej në kujtimet e fëmijërisë, në rrugët e Preshevës, në shtëpinë e dikurshme, në çdo vend ku zëri yt ka mbetur si jehonë. Më mungon zëri yt. Më mungon shikimi yt. Më mungon kujdesi yt.

Më mungon edhe ajo mënyra jote e thjeshtë për të na thënë:

“Ju patshim juve, zemrat e mia.”

Sot do të doja të të thosha: “Na pate, Nonë. Na pate dhe na dhe gjithçka që kishe.” Dhe ne, sa do të donim të të kishim edhe pak… Vetëm edhe një ditë. Vetëm edhe një mëngjes. Vetëm edhe një përqafim. Vetëm edhe një herë të të dëgjonim duke thënë “biri i Nonës”. Por një grusht dheu i Preshevës nuk ma dha mundësinë të të mbaja më gjatë. Sa e pamëshirshme është jeta kur ta merr nënën dhe pastaj të kërkon të vazhdosh sikur zemra nuk të është këputur. E ndonjëherë, në heshtjen time, e imagjinoj sikur dera hapet dhe ti shfaqesh aty. Më shikon dhe më thua:

“Mirë se u ktheve, biri i Nonës…”

Dhe unë nuk do të të pyesja asgjë. Do të të përqafoja. Do të qaja. Do të të mbaja fort, sikur krahët e mi të mund ta ndalonin përsëri kohën. Por koha nuk kthehet. Njerëzit ikin. Dhe disa mungesa bëhen përgjithmonë pjesë e njeriut. Nuk jam më ai që isha kur ishe ti. Sepse me ikjen tënde iku edhe një pjesë e imja që askush nuk mund ta kthejë.

Sot, më 5 Tetor, dua të ta lë edhe një amanet timin, Nonë: sa të jem gjallë, nuk do të lejoj që koha ta zbehë emrin tënd. Do të flas për ty. Do t’u ritregoj fëmijëve të mi kush ishte nona Xhevahire. Do t’u ritregoj për zemrën tënde, sakrificat e tua, fjalët e tua dhe mësimet që na le. Do t’u them se gjyshja e tyre nuk ishte thjesht një grua që jetoi një jetë. Ajo ishte një nënë që la gjurmë në zemrat e fëmijëve të saj. Sa të jem gjallë, ti nuk do të jesh vetëm një kujtim. Do të jesh pjesë e jetës sime.

Nëse ndonjëherë më sheh nga ajo dritë ku je, mos u shqetëso për mua. Më shiko dhe thuaj:

“Ky është biri im.”

Sepse unë, deri në frymën time të fundit, do të them: “Kjo është Nona ime.”

Dhe ju që ende i keni prindërit gjallë, ju lutem, duajini edhe më shumë.

Mos prisni një datëlindje për t’i përqafuar. Mos prisni një festë për t’u thënë se i doni. Shkoni tek ata pa ndonjë arsye. Uluni pranë tyre. Puthuni duart. Dëgjojeni zërin e tyre. Pyetini për jetën e tyre. Falënderojini sa janë ende aty. Sepse një ditë mund të keni gjithçka në këtë botë, por të jepnit gjithçka vetëm për një minutë me nënën tuaj.

Unë sot do të jepja gjithçka vetëm për një minutë me Nonën time. Prandaj, ju që i keni ende prindërit, mos e kurseni dashurinë. Mos e shtyni për nesër. Mos e lini një përqafim për një ditë tjetër. Dashuria për prindin nuk është fjalë që duhet mbajtur në zemër; është fjalë që duhet thënë, përqafim që duhet dhënë dhe mirënjohje që duhet shprehur sa ata janë ende mes nesh. Sepse prindi nuk zëvendësohet. Nëna nuk zëvendësohet. Mund të kesh njerëz rreth vetes, miq, familje, pasuri, emër, sukses… por boshllëkun e një nëne nuk e mbush dot askush.

Prindërit janë të pazëvendësueshëm.

Prandaj, nëse e ke nënën gjallë, shko përqafoje sot. Nëse e ke babanë, ulu pranë tij. Nëse i ke të dy, falënderoje Zotin për dhuratën që ende e ke në shtëpi. Mos prit që mungesa t’ju mësojë atë që prania duhej t’ju kishte mësuar. Sepse një ditë, zëri që sot të thërret mund të heshtë. Dora që sot mund ta puthësh mund të mos jetë më aty. Dhe përpara një varri, njeriu e kupton shumë vonë se asnjë pasuri nuk vlen sa një përqafim i prindit, asnjë sukses nuk e zëvendëson një fjalë të nënës dhe asnjë kohë e humbur nuk kthehet më.

Sot, më 5 Tetor, unë nuk kam një dhuratë për ty, Nonë. Kam vetëm lotët e mi. Kam kujtimet e mia. Kam lutjen time. Dhe kam dashurinë që nuk vdes.

Pusho në parajsë, Nonë ime.

Dhuratat na thojshe, se jemi ne kur të duam e të nderojmë. Nëse ka një vend ku shpirtrat takohen, unë besoj se një ditë do të vijë edhe ai çast. Dhe kur të vijë, mos më pyet pse vonova. Vetëm më hap krahët, ashtu si dikur. Unë do të vij te ti me gjithë mallin e viteve. Do të të përqafoj fort. Dhe ndoshta, për herë të parë pas kaq shumë kohësh, zemra ime do të pushojë së kërkuari atë që i mungon.

Deri atëherë, mbaje një vend për mua në atë dritë. Sepse unë këtu, në këtë botë, do të vazhdoj të të mbaj në zemër.

Ti ike nga sytë e mi, por nuk ike nga jeta ime. Ti ike nga kjo botë, por nuk ike nga gjaku im. Ti ike nga krahët e mi, por nuk ike kurrë nga zemra ime.

Ah, shpirt e Nonë… Sa shumë më mungon. Sa shumë do të doja të ishe këtu. Dhe sa shumë do të të dua, deri në frymën time të fundit.

Shpirti jotë i bardhë bëftë dritë në përjetësi.

Ky rrëfim i Dashnim Hebibit është më shumë se një kujtim personal. Është një homazh për nënën, për sakrificën e saj dhe për dashurinë prindërore që nuk shuhet as atëherë kur prindi nuk është më fizikisht pranë nesh. Në një kohë kur shumë njerëz e shtyjnë një telefonatë, një vizitë apo një përqafim për “nesër”, mesazhi i tij vjen si një kujtesë e fortë: dashuria duhet shprehur derisa kemi mundësi ta shprehim. Sepse disa fjalë, pasi prindi largohet, mbeten përgjithmonë të pathëna. Dhe disa përqafime, sado shumë t’i dëshirojmë, nuk mund të kthehen më. Shpirti i bëftë dritë në përjetëso Nonës Xhevahire.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Nju Jorku shpall gjendje të jashtëzakonshme pas rritjes së rasteve të...

0
Nju Jork – Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka shpallur të hënën gjendje të jashtëzakonshme në shtet, në përgjigje të rritjes së rasteve të...