BERLIN – Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi një takim në Bundestagun gjerman me drejtues dhe anëtarë të Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian. Në takim morën pjesë kryetari i komisionit, Dr. Anton Hofreiter, zëvendëskryetari Johannes Schraps dhe deputeti Peter Beyer, ndërsa Zulfaj u shoqërua nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. Takimi u fokusua në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe në rolin e Gjermanisë në këtë proces. Gjatë takimit, Zulfaj falënderoi deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar kontributin gjerman në faza të ndryshme të historisë së vendit, nga çlirimi dhe rindërtimi pas luftës, te procesi i pavarësisë, shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik.
Në qendër të diskutimeve ishte aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zulfaj kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës gjatë kësaj vjeshte.
Kosova e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022. Sipas Zulfajt, pas pothuajse katër vitesh, procesi ende nuk ka avancuar drejt statusit kandidat. Këtë kërkesë ai e ka paraqitur edhe në takime të tjera me zyrtarë evropianë, duke e cilësuar marrjen e statusit kandidat si një nga prioritetet kryesore të Kosovës.
Reforma dhe integrimi evropian
Në Bundestag u diskutua gjithashtu për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, reformat në kuadër të procesit të integrimit dhe përafrimin e vendit me politikat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Zulfaj theksoi rëndësinë e rolit të Gjermanisë në këtë proces dhe kërkoi angazhim të mëtejshëm të parlamentarëve gjermanë përmes kontakteve me homologët e tyre në shtetet e tjera anëtare dhe me familjet politike evropiane. Takimi në Berlin zhvillohet në kuadër të angazhimeve të reja të Zulfajt si Kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian. Ai u emërua në këtë detyrë në mars të vitit 2026, me përgjegjësi për koordinimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës. Në përfundim të takimit, Zulfaj falënderoi deputetët gjermanë për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, ndërsa diskutimet u përqendruan në hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian./BS










