/ Përgatiti: Dashnim HEBIBI /
Cyrih, 26.04.2025
Sot, në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, u zhvillua një takim i ngrohtë dhe vëllazëror me z. Enkel Rexhepi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Këshilli Kombëtar Shqiptar është institucioni përfaqësues i shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, i cili u mundëson atyre ushtrimin e të drejtave për vetëqeverisje në fushat e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.
Ky takim, i organizuar në një ditë pushimi, dëshmoi përkushtimin dhe vullnetin e palëkundur të Konsullatës së Kosovës në Cyrih për të qenë gjithmonë pranë bashkëkombasve tanë, veçanërisht mërgatës së Luginës së Preshevës.
Shefi i Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha, gjatë një viti në krye të kësaj detyre, ka treguar angazhim të vazhdueshëm në përkrahje të komunitetit shqiptar, duke marrë pjesë në takime, organizime dhe manifestime të ndryshme të diasporës edhe për Luginën e Preshevës.
Përkushtimi i tij u konkretizua edhe sot, duke hapur dyert e Konsullatës në një ditë të shtunë për të pritur një përfaqësues të denjë të Luginës së Preshevës, në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.
Ky gjest modeat, por i fuqishëm në simbolikë, konfirmon se për Konsullatën e Kosovës në Cyrih, shërbimi ndaj qytetarëve dhe bashkëkombasve tanë edhe nga Lugina e Preshevës mbetet një prioritet i padiskutueshëm.
Në këtë frymë bashkëpunimi dhe vëllazërie, u ritheksua rëndësia e vazhdimit të mbështetjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe domosdoshmëria që institucionet tona të jenë gjithmonë pranë tyre, për të ruajtur e avancuar të drejtat kombëtare, kulturore dhe arsimore.
Konsullata e Kosovës në Cyrih mbetet e përkushtuar që t’i mbështesë të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke forcuar lidhjet me diasporën tonë.
SAM24.info