Lara Colturi nuk do të përfaqësojë më Shqipërinë. Skiatorja me origjinë italiane, e cila iu bashkua Federatës Shqiptare të Skive, tri vite më parë, ka kërkuar të garojë për vendin e lindjes. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Colturi ka kërkuar largimin nga FSHS për tiu bashkuar Italisë. Por deri tani nuk ka asnjë përgjigje as nga Komitetit Olimpik Shqiptar dhe as Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Skiatorja Lara Colturi ka kërkuar që të largohet nga Shqipëria. Nëpërmjet një shkrese zyrtare ajo ka njoftuar Komitetin Olimpik shqiptar dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, organizma të cilët ende nuk kanë dhënë një përgjigje për këtë çështje. Colturi iu bashkua Federatës Shqiptare të Skive në vitin 2022 dhe gjatë kësaj kohe ka bërë një paraqitje mjaft të mirë.
Performanca e saj kulmoi në Kupën e botës që sapo përfundoi, 2024-2025, ku ajo arriti të ngjitej tre herë në podium duke marrë tri medalje të bronzta, dhe në renditjen e përgjithshme zuri vendin e 7-të, në konkurrim me kampionet e mëdha të botës. Skiatorja me origjinë italiane dëshiron të garojë tashmë për vendin e saj të lindjes.
Shkak për largimin e saj nga Shqipëria është mungesa e fondeve nga ana e FSHS, pasi dihet që sporti i skive është ndër më të shtrenjtët. Dhe Federata Italiane e Skive ka një buxhet prej 70 milionë eurosh. Skiatorja 18-vjeçare është në pritje të një përgjigje, kur shqyrtimi i kërkesës së saj duhet të përfundojë deri në datën 1 maj.
Nëse Colturi do të marrë vendim të njëanshëm, atëherë ajo do të mbesë 1 vit pa zbritur në pistën e skive. Kjo situatë krijohet pikërisht në kohën kur 18 vjeçarja kërkon të marrë pjesë patjetër në Olimpiadën “Milano-Cortina 2026”, por më parë duhet të arrijë kualifikimin nëpërmjet botërorit që zhvillohet në fund të vitit në vijim, njofton rtsh.