/ Cyrih, 09 shkurt /
Kryesia e Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendrën e saj në St.Gallen të Zvicrës e me përkrahje edhe nga anëtarët e saj i drejtohet bashkëkombasve në Kosovë që të dalin në zgjedhje që të gjithë dhe të japin votën e lirë që të fitoj e ardhmja e Kosovës. Të na sheh bota se ne meritojmë anëtarësimin në BE e NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Jemi në mes të evropës.
Jemi popull paqësor. Jemi popull që kemi dhënë shumë për liri e pavarësi. I kemi dhënë botës shumë personalitete, mjafton të përmendet Nënë Tereza. Na duhet uniteti në këto momente shumë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por për të gjithë kombin. Presim lajme të mira jo vetëm ne si mërgimtarë të asaj krahine shqiptare, por e gjithë Lugina e Preshevës. Njëherit i lutemi të gjithë qytetarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë e që nuk janë pak, të votojnë, të mos gjejnë arsye, por të dalin sa më masovikisht dhe të kryejnë obligimin qyetarë.
Një Kosovë e fortë edhe Lugina e Preshevës do të jetë e fortë.
Nuk mundemi ti drejtohemi që të votojnë këtë apo ate parti, sepse as që e kemi ate të drejtë, por ne respektojmë e do të respektojmë secilin që do të fitoj, sepse jemi vëllezër. Bashkëkombas nga Kosova edhe ne nga mërgimi me shumë mall po ju përcjellim. Edhe nesër do të rrijmë gjithë ditën me sy e shpirt nga Kosova. Për hirë të gjakut të dëshmorëve, invalidëve të luftës e shumë e shumë qytetarëve tanë që janë të zhdukur e presin familjarët e tyre që një ditë të kthehen, për hirë të atyre fëmijëve që ishin viktima të një regjimi të egër që e dënoi bota demokratike, mos të krijohen gjëra të këqija që nuk na kanë hije.
E keni parë edhe dje me datë 08 shkurt, kur mërgata shqiptare votoi, ka kaluar shkëlqyeshëm pa incidente të theksuara. Kemi dhënë shumë për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ne e duam suksesin. Ne duam unitetin. Ne e duam më të mirin që ta përcjell Kosovën drejt sukseseve e ruajtjes së miqësisë me miqtë tanë ndërkombëtar e në veçanti me SHBA-të. Urime kjo ditë e madhe e 9 shkurtit, ditë e zgjedhjeve parlamentare edhe Lugina e Preshevës si gjithmonë edhe tash është me juve.
Po besojmë shumë, se do të vija dita që edhe banorët e Luginës së Preshevës e që janë pjesë e Kosovës natyrshëm të marrin shtetësinë dhe ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Gëzuar Kosova jonë, Dardania e shqiptarisë.
Për kryesinë e shoqatës,
PhD. Dashnim HEBIBI, kryetar




