BallinaAktualitetiElis Hyshmeri: "Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht...

Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”

-

Intervistoi: Sokol Paja

1. Zoti Hyshmeri, si skulptor e pedagog arti, si nisi rrugëtimi juaj artistik në skulpturë dhe cilat kanë qenë përvojat që kanë ndikuar më shumë në formimin e identitetit tuaj krijues si artist?

Pasioni im për artin pamor lindi që në fëmijëri, kur frekuentoja rrethet jashtëshkollore të vizatimit pranë Shtëpisë së Pionierit. Në përfundim të shkollës tetëvjeçare, e kisha tashmë të qartë se dëshiroja të vazhdoja studimet në Liceun Artistik “Onufri” në Elbasan. Që në orët e para të mësimit u tërhoqa veçanërisht nga skulptura, e cila shumë shpejt u kthye në pasionin tim më të madh. Gjatë viteve të liceut, sidomos në tre vitet e fundit, prirjet dhe aftësitë e mia filluan të shfaqeshin më qartë. Ato u vunë re dhe u mbështetën nga mësuesit e mi, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në formimin tim artistik.

E kujtoj me shumë nostalgji atë periudhë. Dëshira për të punuar me skulpturën ishte aq e madhe, sa shpesh qëndroja në studiot e shkollës deri në orët e vona të mbrëmjes, shumë përtej orarit të mësimit. Liceu Artistik “Onufri”, një institucion me tradita të hershme në edukimin artistik, na krijonte vazhdimisht mundësi për të marrë pjesë në ekspozita dhe aktivitete të ndryshme. Vlerësimet që merrnin punimet e mia më jepnin besim dhe më motivonin të kërkoja gjithnjë e më shumë nga vetja.

Një moment vendimtar në rrugëtimin tim ishte pranimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në konkursin e pranimit u vlerësova nga juria me pikët maksimale, duke u renditur i pari mes kandidatëve. Për mua, ky ishte realizimi i një ëndrre, por njëkohësisht edhe fillimi i një etape të re, që kërkonte më shumë disiplinë, përkushtim dhe kërkim artistik.

Pata fatin të studioja me disa prej emrave të njohur të artit pamor shqiptar, si Gazment Leka, Ilia Xhokaxhi, Pjerin Kolnika, Genc Mulliqi, Vasiljev Nini dhe i ndjeri Fatos Kola. Secili prej tyre ndikoi në formimin tim, jo vetëm përmes njohurive profesionale që na përcillnin, por edhe përmes mënyrës se si na nxisnin të vëzhgonim, të mendonim dhe ta kuptonim artin përtej aspektit teknik.

Një nga ndikimet më të rëndësishme në identitetin tim krijues ka qenë pikërisht filozofia e formimit akademik.

Besoj se liria krijuese bëhet më e vetëdijshme dhe më e pasur kur mbështetet mbi njohuri të thella profesionale. Katër vitet e studimeve në Akademinë e Arteve u kurorëzuan me një nga përvojat më të rëndësishme të fillimeve të karrierës sime: përzgjedhjen për të përfaqësuar Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar të skulpturës “Edgardo Mannucci”, të organizuar në Ankona të Italisë. Në këtë konkurs u paraqita me tri krijime, “Koralja”, “Dashi” dhe “Kurbani”, dhe u vlerësova me çmimin e parë.

Nga ajo ditë më kanë mbetur të paharrueshme dy momente: marrja e çmimit nga ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, dhe ngritja e flamurit shqiptar nën tingujt e himnit kombëtar. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, jo vetëm për vlerësimin që po merrja si artist i ri, por edhe për krenarinë që ndieja duke përfaqësuar vendin tim në një aktivitet ndërkombëtar. Ajo përvojë më dha më shumë besim për të vazhduar rrugëtimin tim artistik dhe për të kërkuar mundësi të reja.

Të gjitha këto përvoja kanë lënë gjurmë në identitetin tim krijues. Gjatë viteve kam eksperimentuar me materiale, forma dhe mënyra të ndryshme shprehjeje, por nuk jam shkëputur asnjëherë plotësisht nga realiteti dhe format e natyrës. Edhe në krijimet e mia më të stilizuara kam kërkuar të ruaj një lidhje me formën reale, qoftë përmes një linje, një proporcioni, një ritmi apo një elementi të vetëm që të kujton origjinën e saj.

Për mua, stilizimi nuk do të thotë të mohosh realitetin, por ta interpretosh atë përmes ndjeshmërisë dhe këndvështrimit tënd si artist. Mendoj se kjo është një nga karakteristikat më të qëndrueshme të gjuhës sime krijuese dhe një nga vlerat më të rëndësishme që kam marrë nga formimi im artistik.

2. Çfarë ju tërheq te skulptura e teknikave të përziera dhe si e përcaktoni materialin e formën që do të marrë një vepër e re krijuese?

E vërteta është se unë jam shkolluar dhe diplomuar si skulptor i Pluri Materies, pra i teknikave dhe materialeve të ndryshme. Marrëdhënia, kimia dhe dialogu midis materialeve më kanë tërhequr gjithmonë. Më pëlqen të eksploroj mundësitë që krijohen nga ndërthurja e tyre, si në aspektin estetik, ashtu edhe në atë shprehës. Në përzgjedhjen e materialeve dhe të formës udhëhiqem fillimisht nga ideja e veprës. Natyrisht, kontrasti estetik dhe karakteristikat fizike të materialeve kanë rëndësinë e tyre, por për mua një rol edhe më të madh luan kuptimi simbolik që ato mbartin. Çdo material ka një karakter të veçantë dhe mund të përcjellë një ndjesi apo mesazh të ndryshëm. Pikërisht marrëdhënia që krijohet mes tyre më ndihmon ta shpreh më plotësisht idenë time artistike.

Megjithatë, zgjedhja përfundimtare nuk është gjithmonë e lehtë. Ashtu si vetë ideja, edhe përcaktimi i materialeve kërkon kohë, kërkim, eksperimentim dhe frymëzim. Shpesh, gjatë procesit krijues, materiali dhe forma ndikojnë te njëri-tjetri, duke më çuar drejt zgjidhjeve që nuk i kisha parashikuar që në fillim.

3. Ju e konsideroni artin një urë lidhëse ndërmjet kulturave, që nxit dialogun dhe mirëkuptimin mes njerëzve. Si pasqyrohet kjo filozofi në skulpturat tuaja dhe sa ndikojnë rrënjët shqiptare në mesazhin që dëshironi t’i përcillni publikut?

Besoj se arti është një nga format më të natyrshme dhe më universale të komunikimit mes njerëzve, pavarësisht gjuhës, kulturës apo vendit nga vijnë. Një vepër arti mund të përcjellë emocione, ide dhe mesazhe pa pasur nevojë për fjalë, duke krijuar një lidhje të veçantë mes artistit dhe publikut. Pikërisht kjo aftësi për të kapërcyer kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë e bën artin, sipas meje, një urë të rëndësishme komunikimi dhe mirëkuptimi.

Rrënjët shqiptare janë pjesë e pandashme e identitetit tim krijues. Ato nuk shfaqen domosdoshmërisht në mënyrë të drejtpërdrejtë në çdo skulpturë, por besoj se gjenden në mënyrën se si i konceptoj format, në simbolikën që zgjedh dhe në ndjeshmërinë me të cilën i trajtoj temat e mia. Me vetëdije apo pa vetëdije, kultura, traditat, kujtimet dhe përvojat e jetës ndikojnë në mënyrën se si e shoh dhe e interpretoj botën. Në këtë kuptim, identiteti im shqiptar është i pranishëm në çdo vepër që krijoj, edhe kur tema e saj nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë.

Në fakt, një pjesë të konsiderueshme të karrierës sime artistike ia kam kushtuar realizimit të veprave që përjetësojnë figura të rëndësishme të historisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare. Personalitete të besimit, arsimit, shkencës, mjekësisë, muzikës dhe artit kanë qenë pjesë e krijimtarisë sime ndër vite.

Mund të përmend këtu figurën e Haxhi Dede Reshat Bardhit, të realizuar për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane; bustin e dijetarit Ibrahim Bardhyli, të vendosur në Bashkinë Gramsh; bustin e mësuesit të nderuar Nevrus Vila në Maliq të Korçës; skulpturat e ushtarëve ilirë në Kosovë dhe Zvicër; bustin e aktorit të shquar Ndrek Luca; atë të mësuesit disident Isuf Gjura, si dhe bustin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Krahas skulpturës, identiteti dhe trashëgimia jonë kulturore kanë qenë në qendër edhe të projekteve të mia në fusha të tjera të artit pamor. Ndër to mund të veçoj Muzeun Vizual të Skënderbeut, ku une dhe bashkeshortja ime piktore Rudina Hyshmeri realizuam një pikturë murale panoramike 360 gradë, si dhe projektin e Muzeut të Elbasanit të Vjetër. Përmes këtyre realizimeve jam përpjekur të sjell në një gjuhë artistike historinë, figurat dhe kujtesën kulturore të vendit tim.

Për mua, këto vepra nuk kanë qenë thjesht porosi artistike. I kam konsideruar edhe si një përgjegjësi personale dhe profesionale për të kontribuar, përmes artit, në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive. Besoj se skulptura dhe arti publik kanë një rol të veçantë në këtë drejtim, sepse i bëjnë figurat dhe ngjarjet historike pjesë të hapësirave ku jetojmë, duke i mbajtur të pranishme edhe për brezat që vijnë.

Duhet të pranoj se jetesa larg atdheut ma ka forcuar edhe më shumë ndjenjën e përkatësisë dhe të identitetit shqiptar. Kur jeton brenda kulturës sate, shumë gjëra i përjeton si pjesë të natyrshme të përditshmërisë. Ndërsa kur ndodhesh larg saj, fillon ta kuptosh dhe ta ndiesh më thellë rëndësinë e rrënjëve, të kujtimeve dhe të trashëgimisë kulturore që mbart me vete.

Në këtë vazhdimësi të krijimtarisë sime bën pjesë edhe një nga projektet më të fundit, një nismë që kemi ndërmarrë disa muaj më parë në kuadër të angazhimit tim në Albanian American Organization of Southwest Florida (AAO-SWFL), për të gjetur një hapësirë publike ku mund të vendoset një shtatore e Nënë Terezës. Së fundmi kam përfunduar bocetin e saj, me lartësi rreth 2 feet (61 cm), ndërsa shtatorja përfundimtare është konceptuar me një lartësi prej rreth 12 feet (3.66 m). Projekti është ende në fazën e zhvillimit, por për mua ka një domethënie të veçantë, si në aspektin artistik, ashtu edhe në atë kulturor.

Nënë Tereza është një figurë që bashkon në mënyrë të natyrshme identitetin shqiptar me vlerat universale njerëzore. Përmes jetës dhe veprës së saj, ajo i përket jo vetëm historisë dhe krenarisë sonë kombëtare, por edhe ndërgjegjes së përbashkët njerëzore. Pikërisht këtu e shoh edhe fuqinë e artit: në mundësinë për të ruajtur dhe përcjellë identitetin tonë kulturor, duke krijuar njëkohësisht ura komunikimi dhe mirëkuptimi me njerëz të kulturave të ndryshme. Për mua, arti e përmbush më së miri misionin e tij kur arrin të jetë njëkohësisht shprehje e identitetit të artistit dhe një gjuhë e hapur për të gjithë.

4. Në krijimtarinë tuaj zënë vend të rëndësishëm identiteti, trashëgimia kulturore dhe transformimi njerëzor. Cilat janë temat që ju frymëzojnë më shumë dhe si arrini t’i shndërroni përvojat njerëzore në forma artistike që komunikojnë përtej gjuhës dhe kufijve kombëtarë?

Frymëzimi për mua vjen nga burime të ndryshme. Më tërheqin veçanërisht format e gjalla që na rrethojnë. Ndonjëherë mund të jetë figura njerëzore, por herë të tjera edhe një lule, një insekt, një molusk, një guaskë apo një kërpudhë. Natyra është e pasur me forma, struktura dhe linja që shpesh bëhen pikënisje për krijimet e mia. Po aq rëndësi ka për mua edhe historia, me ngjarjet dhe përvojat njerëzore që mbart.

Besoj se krijimtaria ndikohet edhe nga gjendja jonë emocionale dhe nga situatat që përjetojmë. Me dëshirë apo pa dëshirë, ato lënë gjurmë te ne dhe ndikojnë në mënyrën se si e shohim dhe e interpretojmë botën.

Në procesin krijues përpiqem t’i shndërroj këto ndikime në forma dhe kompozime skulpturore. Nuk kërkoj domosdoshmërisht ta riprodhoj realitetin ashtu siç është, por ta interpretoj dhe ta stilizoj, duke ruajtur gjithmonë një lidhje me të. Shpesh, një formë e thjeshtë natyrore mund të më çojë drejt një ideje me kuptim më të gjerë.

Mendoj se arti komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës. Një skulpturë nuk ka nevojë të shpjegojë gjithçka. Ajo mund të ngjallë ndjesi, kujtime apo pyetje të ndryshme te secili që e shikon. Për mua, kjo është një nga vlerat më të rëndësishme të artit.

5. Përveç krijimtarisë si skulptor, ju jeni edhe pedagog arti dhe dizajner interieri, duke përdorur programe të avancuara si AutoCAD, SketchUp dhe Lumion. Si ndërthuren këto fusha në punën tuaj dhe çfarë roli luan teknologjia në zhvillimin e artit bashkëkohor?

Krahas skulpturës dhe mësimdhënies, prej rreth 15 vitesh merrem edhe me dizajnin dhe arredimin e ambienteve të brendshme. Kjo erdhi si pasojë e një nevoje që vura re në treg për dizajnerë me formim artistik. Shpesh, ambientet projektoheshin kryesisht për të përmbushur kërkesat funksionale, ndërsa unë mendoja se ato duhej të kishin edhe një identitet artistik të veçantë.

Fillimisht, dëshira ime ishte që disa prej miqve të mi të jetonin në hapësira të menduara mirë, ku funksionaliteti dhe estetika të ishin në harmoni. Për mua, një ambient nuk është thjesht një vend ku jetojmë, por një hapësirë që ndikon në mënyrën se si ndihemi dhe e përjetojmë jetën e përditshme.

Formimi im si skulptor më ndihmoi shumë në këtë drejtim. Njohja e formës, volumit, proporcioneve dhe marrëdhënies së tyre me hapësirën më dha një bazë të rëndësishme për zhvillimin e projekteve të arredimit. Megjithatë, për t’i realizuar ato, më duhej të mësoja në një kohë rekord programe profesionale të dizajnit, si AutoCAD, SketchUp dhe Lumion. Pa ndihmën e tyre, realizimi dhe prezantimi i këtyre projekteve do të kishte qenë jashtëzakonisht i vështirë.

Ndryshe nga dizajni i interierit, në skulpturë vazhdoj t’u qëndroj besnik metodave tradicionale të krijimit. Gjithçka nis nga një ide, e cila pasohet nga skica të shumta me laps në letër dhe më pas nga bocetet fizike. Teknologjinë deri tani e kam përdorur kryesisht për realizimin e renderave dhe për të parë se si një skulpturë do të vendoset dhe do të komunikojë me mjedisin përreth. Kjo më ndihmon të kuptoj më lehtë marrëdhënien midis formës dhe hapësirës, sidomos në rastin e skulpturave monumentale dhe veprave të destinuara për hapësira publike.

Edhe mësimdhënia është një pjesë e pandashme e veprimtarisë sime. Ajo më jep mundësinë të ndaj përvojën dhe njohuritë e mia me studentët, por njëkohësisht më nxit të vazhdoj të mësoj dhe të zhvillohem. Mendoj se këto tri fusha plotësojnë njëra-tjetrën dhe më kanë ndihmuar të kem një këndvështrim më të gjerë mbi artin dhe hapësirën.

Besoj se teknologjia ka hapur mundësi të mëdha për artin bashkëkohor. Për mua, megjithatë, ajo mbetet një mjet në shërbim të krijimtarisë. Mund të na ndihmojë të zhvillojmë, realizojmë dhe prezantojmë më mirë një ide, por nuk mund të zëvendësojë ndjeshmërinë, imagjinatën dhe mendimin e artistit.

6. Duke parë rrugëtimin tuaj si artist dhe pedagog, si e shihni të ardhmen e skulpturës shqiptare në skenën ndërkombëtare?

E shoh me shumë optimizëm të ardhmen e skulpturës shqiptare në skenën ndërkombëtare. Ky optimizëm nuk buron thjesht nga dëshira ime për ta parë artin shqiptar të përfaqësuar denjësisht në botë, por edhe nga përvoja ime shumëvjeçare si artist dhe pedagog.

Për rreth 20 vite jam përpjekur të bëj një punë sa më të mirë si mësues arti, duke u munduar t’u përcjell nxënësve jo vetëm njohuritë dhe aftësitë profesionale, por edhe dashurinë, disiplinën dhe përkushtimin ndaj artit. Sot mund të them me bindje se dhjetera nga ish nxenesit e mi janë artistë që zotërojnë aftësitë e nevojshme për të konkurruar denjësisht në arenën ndërkombëtare. Për mua, kjo është një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës sime si pedagog.

Dhe sigurisht, nuk jam i vetmi. Shumë mësues dhe pedagogë të tjerë në Shqipëri kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përgatitjen e brezave të rinj të artistëve. Kjo më bën të besoj se vendit tonë nuk i mungon potenciali krijues dhe as formimi profesional.

Artistët kanë nevojë të marrin pjesë në ekspozita, konkurse, simpoziume dhe rezidenca artistike, të shkëmbejnë përvoja dhe të krijojnë lidhje profesionale me artistë, galeri dhe institucione të vendeve të tjera. Këto përvoja janë të pazëvendësueshme, sepse jo vetëm i japin mundësi artistit të prezantojë punën e tij, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e gjuhës së tij krijuese.

Pikërisht këtu besoj se institucionet shqiptare duhet të luajnë një rol më aktiv. Nuk mjafton vetëm të përgatisim artistë të talentuar; duhet të krijojmë edhe kushtet që talenti i tyre të shihet, të njihet dhe të vlerësohet përtej kufijve të Shqipërisë. Nevojiten programe mbështetëse, bashkëpunime ndërinstitucionale dhe më shumë investime në promovimin ndërkombëtar të artistëve shqiptarë.

Një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe diaspora shqiptare, e cila ka mundësinë të ndërtojë ura bashkëpunimi mes artistëve në Shqipëri dhe institucioneve kulturore të vendeve ku jeton. Nga përvoja ime, besoj se këto lidhje mund të krijojnë mundësi konkrete për ekspozita, projekte të përbashkëta dhe shkëmbime profesionale.

Jam i bindur se skulptura shqiptare ka potencialin të zërë një vend më të dukshëm në skenën ndërkombëtare. Ajo që na nevojitet është të ndërtojmë më shumë mundësi që talenti, puna dhe krijimtaria e artistëve tanë të dalin përtej kufijve. Sepse talenti mund të lindë kudo, por për t’u zhvilluar dhe për t’u njohur ka nevojë edhe për mundësi.

7. Çfarë mund të bëjnë artistët shqiptarë për ta promovuar më mirë trashëgiminë e tyre kulturore, duke sjellë njëkohësisht risi në artin bashkëkohor?

Mendoj se artistët shqiptarë kanë një pasuri të jashtëzakonshme nga e cila mund të frymëzohen. Historia, traditat, arkitektura, veshjet popullore, ornamentet, mitologjia dhe trashëgimia jonë shpirtërore përbëjnë një burim të gjerë motivesh, formash dhe simbolesh që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme përmes artit bashkëkohor.

Megjithatë, besoj se promovimi i trashëgimisë kulturore nuk duhet të kufizohet vetëm te riprodhimi i motiveve tradicionale apo i figurave historike. Ruajtja e identitetit nuk do të thotë domosdoshmërisht përsëritje e së kaluarës. Përkundrazi, mendoj se një nga sfidat më interesante për artistin është të gjejë mënyra të reja për ta interpretuar atë, duke krijuar një dialog mes traditës dhe kohës në të cilën jetojmë.

Për ta arritur këtë, artisti duhet së pari ta njohë mirë trashëgiminë e vet kulturore.

Nuk mjafton të përdorësh një simbol apo një motiv tradicional vetëm për vlerën e tij dekorative. Është e rëndësishme të kuptosh historinë, domethënien dhe kontekstin e tij. Vetëm atëherë mund ta transformosh në një gjuhë artistike personale, pa ia humbur thelbin dhe identitetin. Në skulpturë, për shembull, elemente të trashëgimisë sonë mund të interpretohen përmes formave bashkëkohore, materialeve të reja dhe mënyrave të ndryshme të kompozimit. Një motiv tradicional mund të jetë pikënisja e një vepre krejtësisht moderne, pa qenë e nevojshme që ai të paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo që ka rëndësi është që vepra të ruajë një lidhje të kuptueshme me burimin e saj kulturor dhe, njëkohësisht, të ketë një identitet të vetin artistik.

Besoj gjithashtu se artistët shqiptarë duhet të jenë të hapur ndaj zhvillimeve të artit bashkëkohor, ndaj materialeve, teknikave dhe teknologjive të reja. Tradita dhe inovacioni nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Përkundrazi, kur ndërthuren me kujdes dhe me njohuri profesionale, mund të krijojnë forma të reja shprehjeje që e bëjnë trashëgiminë tonë kulturore më të pranishme dhe më të kuptueshme për publikun e sotëm.

Një tjetër element që e konsideroj të rëndësishëm është bashkëpunimi mes artistëve të disiplinave të ndryshme, si dhe ndërmjet artistëve, historianëve, studiuesve dhe institucioneve të trashëgimisë kulturore. Këto bashkëpunime mund të sjellin interpretime më të thelluara dhe projekte që ndërthurin vlerën historike me krijimtarinë artistike. Në fund të fundit, mendoj se artistët shqiptarë nuk duhet të ndihen të detyruar të zgjedhin mes identitetit të tyre kulturor dhe artit bashkëkohor. Mund të jemi bashkëkohorë pa hequr dorë nga rrënjët tona dhe mund ta ruajmë trashëgiminë kulturore pa mbetur të kufizuar në format e së kaluarës.

Për mua, vlera më e madhe qëndron pikërisht këtu: të krijojmë vepra që mbartin kujtesën e kulturës nga vijmë, por që njëkohësisht flasin me gjuhën e kohës sonë dhe arrijnë të komunikojnë me një publik shumë më të gjerë. /GDielli

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Presidenti Begaj pret ambasadoren e re daneze, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard

0
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në një takim zyrtar ambasadoren e re të Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Louise Elisabeth Rigtrup...