POSTIMET E FUNDIT

Jusuf Buxhovi: 34-vjetori i zgjedhjeve të para në Kosovë (1992)

Historiani Jusuf Buxhovi ka përkujtuar 34-vjetorin e zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, të mbajtura më 24 maj 1992, duke i cilësuar si hapin përfundimtar të legjitimimit demokratik të shtetit të Kosovës. Sipas tij, ky proces u ndërlidh me Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut dhe Referendumin e vitit 1991. Në këto zgjedhje, në rrethana të okupimit serb, shumica e qytetarëve votuan për parlamentin shumëpartiak dhe për president u zgjodh Ibrahim Rugova. U formua Kuvendi i parë plural me 130 deputetë nga 22 subjekte politike, ndërsa më pas u hap rruga për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, që veproi kryesisht në ekzil deri në vitin 1999. Kuvendin e parë e kryesoi Idriz Ajeti.

Shkrimi i plotë:

Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura më 24 maj 1992 përmbyllën infrastrukturën e legjitimimit demokratik të shtetit të Kosovës. Ky proces, i filluar me Deklaratën e Pavarësisë së 2 korriku 1990 dhe i vazhduar me Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit të atij viti, në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut, vuri në binarët e pandalshëm historik shtetin e Kosovës në përputhje me vullnetin e shprehur në Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991. Në këto zgjedhje, ndonësë u mbajtën në rrethanat e okupimit policor dhe ushtarak jugosllav, me ç’rast u veprua me të gjitha mjetet që ato të dështojnë, qytetarët e Kosovës, më një shumicë absolute votuan për parlamentin shumëpartiak dhe për presidentin e Kosovës. Me këtë rast, dr. Ibrahim Rugova u zgjodh presidenti i parë i shtetit të Kosovës, që atij i dha legjitimitet të plotë në planin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në parlamentin e parë plural të Republikës së Kosovë u zgjodhën 130 Deputetë prej 22 partive dhe grupacioneve politike, 96 deputetë nga radhët e LDK-së, 11 të PPK-së dhe 2 kandidatë të pavarur nga zgjedhjet e drejtpërdrejta. Ndërkaq në ato proporcionale, 12 deputetë të PPK-së, 1 të PSDK-së, 7 të PFK-së dhe 7 të PSHDK-së. Mosha mesatare e deputetëve asht 42 vjeç e nëntë muaj. Deputeti më i vjetër është Prof. Anton Çetta 72 vjeç e 4 muaj, ndërsa më i riu Haki Ymeri 24 vjeç e 5 muaj. Struktura profesionale: 28 profesorë, 16 inxhinierë, 17 profesorë universitarë dhe 4 Ligjërues universitarë, 9 juristë të diplomuar, 9 gazetarë, 8 ekonomistë të diplomuar, 6 arsimtarë, 7 mjekë, 5 studentë, 4 teknikë, 3 avokatë, 3 absolventë fakulteti, 2 shkrimtarë, 2 historianë, 2 sociologë, 2 publicistë, 2 bujq, 1 regjisor, 1 pedagog, 1 arkeolog, 1 biznismenë, 1 punëtor, 1 nëpunës dhe 1 i papunë.

Presidenti Ibrahim Rugova në bashkërendim me partitë politike, ia vazhdoi mandatin Kuvéndit, deri në zgjedhjet e vitit 1998.

Deputet nga radhët e LDK në zgjedhjet e para parlamentare 1992-98 , nga 96 ishin edhe Ali Lajqi,Avni Spahiu,Berat Luzha, Bajrush Xhemajli,Bajram Rexhepi,Basri Musmurati ,Gani Krasniqi,Haki Shatri,Hydajet Hyseni,Mujë Rugova,Jakup Krasniqi,Ramë Buja,Selatin Novosella,Zenun Pajaziti, Bujar Bukoshi, Edita Tahiri e të tjerë.

Zgjedhjet e para parlamentare, pas konstituimit të Kuvendit, kryetar i të cilit u zgjodh akademik Idriz Ajeti, i hapën rrugën formimit të Qeverisë së Përkohshme të Republikës së Kosovës, që do të veprojë nga fundi i atij viti, me shumicën e resorëve jashtë vendit (kryesisht në Gjermani). Prej andej do të udhëhiqet shteti paralel, që veproi deri më 24 mars 1999, kur filloi fushata ajrore e NATO-s ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB