Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e referendumit të brendshëm për rikonfirmimin e drejtimit të saj, ku anëtarësia u thirr të shprehej mbi vijimësinë e lidershipit të Sali Berisha. Procesi u zhvillua në të gjithë vendin, me pjesëmarrje të organizuar në degët e partisë dhe në qendra votimi të ngritura për këtë qëllim.
Sipas të dhënave të para të bëra publike nga Komisioni i Organizimit, procesi ka përfshirë 77 degë të Partisë Demokratike dhe është zhvilluar në 87 qendra votimi. Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, bëri me dije se pjesëmarrja totale ka qenë 39,441 anëtarë.
Në deklaratën e saj për mediat, Vokshi tha:
“Sot, më 23 maj, demokratët në të gjithë vendin ishin të ftuar për të vendosur drejtimin e Partisë Demokratike. Përmes një procesi transparent, të rregullt, të qetë, të monitoruar gjerësisht nga media, pa asnjë pengesë për të, si dhe të karakterizuar nga një pjesëmarrje masive e anëtarëve të Partisë Demokratike. Nga përpunimi i të dhënave paraprake, pra kontaktet që kemi pasur me degët, 77 degët e Partisë Demokratike, ku votuan në 87 qendra votimi, nga rezultatet paraprake pra të procesit, kemi si më poshtë vijon.”
Sipas të dhënave zyrtare paraprake të prezantuara nga komisioni, rezulton se:
Pjesëmarrës gjithsej: 39,441
Vota të vlefshme: 38,902
Vota të pavlefshme: 539
Vota pro: 37,341
Vota kundër: 1,055
Abstenime: 506
Me këtë rezultat, Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike, në një proces me një kandidat të vetëm, i cili u paraqit si votëbesim nga strukturat drejtuese të partisë.
Reagimi i Berishës pas votimit
Pas shpalljes së rezultateve, Berisha mbajti një konferencë për shtyp, ku falënderoi anëtarësinë dhe vlerësoi procesin si një moment të rëndësishëm për opozitën shqiptare.
“Mirënjohje për ata që votuan, edhe për ata që votuan ndryshe. Jemi një familje. Ky ishte votimi më i rëndësishëm”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se edhe votat kundër dhe abstenimet do të merren në konsideratë në funksion të adresimit të shqetësimeve brenda partisë.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha falënderoi strukturat organizative dhe komisionerët e procesit, duke e cilësuar votimin si të rregullt dhe transparent. Megjithatë, ai e shfrytëzoi deklaratën për të artikuluar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Njeri sharlatan, pa dinjitet, kujton se ke fituar, por fundin e ke të shpejtë”, tha ai.
Berisha vijoi me akuza më të gjera politike, duke pretenduar se rezultati i votimit ka shqetësuar “organizatat kriminale, kartelet e drogës dhe mafien e fjalës së lirë”.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, ai e cilësoi këtë votim si një moment historik për Partinë Demokratike, duke theksuar se forca e saj politike është e konsoliduar dhe e gatshme për betejat e ardhshme politike.
“Ky është votimi më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Fitorja jonë është e pashmangshme”, tha ai.
Procesi i referendumit vjen në një periudhë të tensionuar politike në vend, ku opozita kërkon riorganizim dhe rikonfirmim të strukturave drejtuese, ndërsa mazhoranca vazhdon të mbajë pushtetin ekzekutiv.
Në këtë kontekst, rikonfirmimi i Berishës pritet të ndikojë në dinamikën e brendshme të Partisë Demokratike dhe në strategjinë e saj politike në vijim, transmeton rtk.




