Pas miratimit të Qeverisë “Kurti 4”, pritet të nisë procedura për plotësimin e ulëseve vakante në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në Kuvend pritet të hyjnë 15 kandidatë të rinj nga lista zgjedhore e LVV-së.
Qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është miratuar me 62 vota për dhe tetë kundër, duke i hapur rrugë edhe një procesi tjetër në Kuvend – zëvendësimit të deputetëve që kanë marrë poste në kabinetin qeveritar.
Me marrjen e detyrave ministrore, deputetët e zgjedhur që janë pjesë e Qeverisë duhet të heqin dorë nga mandatet e tyre në Kuvend. Në përputhje me procedurat përkatëse, ulëset e mbetura vakante pritet t’u kalojnë kandidatëve të radhës në listën zgjedhore të LVV-së.
Sipas listës së publikuar, 15 kandidatët që pritet të marrin mandatet e deputetëve janë:
- Naim Bardiqi
- Fitim Haziri
- Ilir Qeriqi
- Egzon Azemi
- Mimoza Shala
- Arsim Ademi
- Luan Aliu
- Fatos Geci
- Adelina Trshana
- Ejup Ahmeti
- Filiz Mustafa
- Arijeta Rexhepi
- Agon Batusha
- Fahrush Rexhepi
- Elvira Ibrahimi Hoti
“Kurti 4” me shumë emra nga kabineti paraprak
Me formimin e Qeverisë “Kurti 4”, një pjesë e madhe e ministrave kanë vazhduar në postet që kanë mbajtur edhe në kabinetin paraprak.
Albin Kurti vazhdon të jetë kryeministër, ndërsa Glauk Konjufca mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Donika Gërvalla vazhdon si zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka është zëvendëskryeministër i tretë.
Në qeverinë e re vazhdojnë gjithashtu Hekuran Murati në Ministrinë e Financave, Andin Hoti në ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Ejup Maqedonci në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Xhelal Sveçla në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Pjesë e kabinetit të ri qeveritar janë edhe Lulëzon Jagxhiu, Arben Vitia, Hajrulla Çeku, Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Blerim Gashani, Fitore Pacolli, Armend Muja, Dimal Basha, Mimoza Kusari, Artane Rizvanolli, Nenad Rashiq dhe Rasim Demiri.
Tash radha e Presidentit
Me përfundimin e procesit të formimit të Qeverisë dhe plotësimit të pozitave ministrore, vëmendja politike pritet të zhvendoset te një tjetër proces i rëndësishëm institucional: zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në ditët në vijim pritet që procesi i zëvendësimit të deputetëve të qartësohet përmes procedurave përkatëse, ndërsa Kuvendi do të përballet me një tjetër zhvillim të rëndësishëm politik – zgjedhjen e kreut të shtetit, transmeton rtk.










