Zvicra nis tetorin me ndryshime të rëndësishme: Marrëveshja e tregtisë së lirë me Kosovën hyn në fuqi
ZÜRICH – Zvicra e nis muajin tetor 2026 me një sërë ndryshimesh ligjore dhe ekonomike që prekin bizneset, tregtinë, arsimin profesional, sigurinë dhe jetën e përditshme. Një nga zhvillimet më të rëndësishme për komunitetin kosovar në Zvicër është hyrja në fuqi e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Kosovës. Marrëveshja synon të lehtësojë shkëmbimet tregtare dhe të krijojë mundësi të reja për kompanitë dhe eksportuesit e të dyja vendeve. Sipas të dhënave të Qeverisë Federale zvicerane, gjatë vitit 2025 shkëmbimet tregtare të mallrave ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës arritën në rreth 175 milionë franga. Marrëveshja parashikon heqjen e tarifave doganore për eksportet zvicerane drejt Kosovës, ndërsa për disa produkte do të zbatohen periudha kalimtare.
Rregulla të reja për transparencën e kompanive
Nga 1 tetori hyjnë në fuqi edhe rregulla të reja në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. Ndryshimet synojnë të rrisin transparencën e kompanive dhe të forcojnë identifikimin e pronarëve përfitues.
Masat janë pjesë e përpjekjeve të Zvicrës për të forcuar mekanizmat e kontrollit financiar dhe për të parandaluar përdorimin e kompanive për aktivitete të paligjshme.
Ndryshime në arsimin profesional
Një tjetër ndryshim lidhet me sistemin e arsimit profesional. Nga tetori prezantohen titujt e rinj Professional Bachelor dhe Professional Master, me synimin për të rritur njohjen dhe vlerësimin e kualifikimeve profesionale në Zvicër.
Rritet çmimi i qumështit biologjik
Ndryshime ka edhe në sektorin bujqësor. Çmimi që marrin prodhuesit për qumështin biologjik rritet me 3 centë për kilogram. Ndryshimi mund të reflektohet edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët për produktet e qumështit.
Më shumë bashkëpunim me Europolin
Në fushën e sigurisë, Zvicra zgjeron mundësitë e bashkëpunimit me Europolin përmes sistemit informativ Schengen. Synimi është forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë. Kështu, tetori sjell një paketë ndryshimesh që prek disa fusha të rëndësishme të jetës ekonomike dhe sociale në Zvicër, ndërsa për Kosovën veçanërisht e rëndësishme është hyrja në fuqi e marrëveshjes së tregtisë së lirë, e cila synon të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve./BSot










