Mbi 100 mijë automjete janë dëmtuar nga breshëri dhe stuhitë e fuqishme që përfshinë disa kantone zvicerane më 28 gusht.
Një stuhi e fuqishme breshëri dhe erërash që goditi Zvicrën në fund të gushtit ka shkaktuar dëme të siguruara prej gati 1 miliard frangash, transmeton 20min.ch. Sipas vlerësimeve të para të Shoqatës Zvicerane të Sigurimeve (SVV), ngjarja e rëndë atmosferike e 28 gushtit 2026 preku veçanërisht kantonet Bernë, Solothurn, Aargau, Zürich dhe Thurgau. Stuhia u zhvillua gjatë paradites, duke përshkuar zonën nga Jura përmes Pllajës Zvicerane deri në Zvicrën Lindore. Në disa zona, kokrrat e breshrit arritën deri në pesë centimetra diametër, ndërsa erërat e forta shkaktuan dëme të konsiderueshme në automjete, ndërtesa dhe pasuri të tjera. Sipas SVV, dëmi i përgjithshëm i siguruar vlerësohet në pak më pak se 1 miliard franga, një shifër rreth dy herë më e lartë se dëmet e shkaktuara nga stuhia e madhe e breshrit më 25 gusht 2023 në Ticino.
Mbi 100 mijë automjete të dëmtuara
Pjesa më e madhe e dëmeve lidhet me automjetet. Sipas vlerësimeve të para, më shumë se 80 për qind e dëmit të siguruar i përket automjeteve motorike. Në total, besohet se mbi 100 mijë automjete janë dëmtuar nga breshëri. Rreth 10 për qind e dëmit të përgjithshëm të vlerësuar për sigurimet private lidhet me dëmet elementare, të cilat mbulohen përmes fondit zviceran të dëmeve elementare. Pjesa tjetër përfshin kategori të tjera sigurimi, ndër të tjera dëmet nga ndërprerja e aktivitetit të bizneseve dhe sigurime shtesë.
Siguruesit shtojnë kapacitetet për përpunimin e dëmeve
Pas stuhisë, kompanitë e sigurimeve rritën kapacitetet për të përpunuar me shpejtësi kërkesat e të siguruarve. Për vlerësimin e dëmeve në automjete u ngritën, ndër të tjera, qendra të posaçme ku pronarët mund të paraqisnin automjetet e dëmtuara për ekspertizë. Një pjesë e madhe e dëmeve mund të deklarohet dhe të vlerësohet tashmë edhe në mënyrë digjitale, duke përshpejtuar procesin e dëmshpërblimit.
“Përmasat e dëmeve janë të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, kjo ngjarje tregon se sistemi zviceran i sigurimeve funksionon edhe në rastet e fatkeqësive të mëdha”, deklaroi Eduard Held, drejtues i Fondit Zviceran të Dëmeve Elementare.
Dëmet në ndërtesa do të llogariten veçmas
Vlerësimi aktual i SVV nuk përfshin të gjitha dëmet në ndërtesa. Në shtatë kantone të Zvicrës, ndërtesat sigurohen nga kompanitë private, ndërsa në kantonet e tjera sigurimi kryhet përmes institucioneve kantonale monopoliste. Shumica e kantoneve të prekura nga stuhia e 28 gushtit janë pjesë e sistemit me sigurime kantonale.
Për këtë arsye, dëmet në ndërtesa në këto kantone do të evidentohen dhe llogariten veçmas dhe nuk janë përfshirë në vlerësimin prej gati 1 miliard frangash. Bilanci përfundimtar i dëmeve pritet të jetë i qartë vetëm pasi të përfundojë procesi i raportimit dhe vlerësimit të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga stuhia, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch
Foto ilustrim nga Adi HEBIBI










